Transmetuar më 11-09-2017, 18:47

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të LSI-së, Kryeministri Edi Rama deklaroi nga salla e Kuvendit se tashmë hapja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian nuk është në dorë të Shqipërisë.

Ai tha se vendi ynë i ka plotësuar kërkesat për çeljen e tyre dhe tashmë është në dorë të Brukselit hapja ose jo e bisedimeve të anëtarësimit.

“Çelja e negociatave nuk lidhet me atë çfarë mund të bëjmë ne më mirë. Në fillim u vendosën 5 pyetje. Pastaj u vu vettingu. Implementimi i vettingut ka nisur dhe rezultatet do të vijnë shumë shpejt.

Por nëse BE kërkon më shumë kohë për probleme të veta, atëherë mund të vazhdojë të thotë që thellohuni, thellohuni me vettingun dhe ne e dimë mirë se çfarë do të thotë kjo. Nëse nuk e dini, pyetni Luan Ramën t’ua thotë. Pastaj, dolën zgjedhjet e lira. Pastaj hyri dhe doli dhe hyri, çështja e kanabisit. Ka dalë edhe fantazma e krimit etnik shqiptar e nxitur nga forca të caktuara.

Sidoqoftë, përgjigja ime është gjithashtu e thjeshtë dhe optimiste sepse reformat e thella, lufta kundër korrupsionit dhe krimin, implementimin i mëtejshëm i reformës në drejtësi, në tërësi reformimi i shtetit, janë vetë procesi i integrimit evropian. Shqipëria është ajo që ua detyrojmë të parëve dhe fëmijëve tanë. /b.l/noa.al/.