Transmetuar më 11-09-2017, 18:21

Në nisje të seancës së pasdites në Kuvend, kryeministri Edi Rama nisi t'ju përgjigjet 19 pyetjeve të ngritura nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Duke u ndalur te shëndetësia ai tha se do të rrisë shpenzimet për shëndetësinë dhe pagat për mësuesit dhe infermierët.

“Vazhdojmë të shikojmë drejt shëndetësisë, me bindjen se për kujdesin shëndetësor të arrijmë 60-65 % të shpenzimeve, një shifër që e gjetëm vetëm 43% në vitin 2013. Ne duhet të sigurohemi që askush të mos bëhet i varfër për shkak të shëndetësisë. Jemi duke punuar për një projekt financimi që të joshim mjekët specialistë që të punojnë edhe në rrethe. Është ende në diskutim”, u shpreh Rama.

Ndërsa pyetja 7 nga 19 pyetjet që Lëvizja Socialiste për Integrim i drejtoi kryeministrit Edi Rama, “Do të kemi më shëndetësi falas apo qeveria është bërë pishman?”, mori përgjigje me ironi nga kreu i qeverisë.

“Ne nuk jemi bërë pishman që qeverisëm bashkë 4 vjet jo më të bëhemi pishman për një qëllim kaq të lartë për shërbim shëndetësor falas. Kështu që politika jonë për shërbim universal do të vijojë. Do të mbështesim fort parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm. Do të vazhdojmë ta zgjerojmë ndjeshëm kujdesin shëndetësor pa pagesë. Patjetër që do të vijojmë bashkëpunimin me institucionet jo publike shëndetësore. Kantierin do të vazhdojmë ta zgjerojmë me vepra të tjera infrastrukturore.

Përsa i përket pyetjes lidhur me arsimin, ai theksoi se prioritet do të jetë mbështetja e mësuesve dhe rritja e tyre e pagave deri në 40%. “Sa i përket arsimit, kemi prioritet mbështetjen e mësuesve, rritjen e pagave të tyre deri në 40 % brenda këtij mandati”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur pyetjes për shtresat në nevojë, Rama sqaroi skemën e re që do të ndërmerret nga qeveria. “Deri në vitin 2021, ajo që ne kemi qëllim me programin e ri që e transformon qasjen ndaj familjeve në nevojë është që në dy familje, një të jetë përfituese e mbështetjes për riintegrim dhe e përfshirë në programin “Shqipëria punon”, me qëllim që deri në vitin 2025, tre në katër familje të përfshihen në këtë program.

Skema sot është goxha e pastruar, por kërkon rritje të mëtejshme të transparencës. Do të kemi një paketë të re për invalidët. Një nga mekanizmat e shumtë që do të ndryshojë është se nuk do të lëmë më një hapësirë boshe për aq shumë pisllëk dhe korrupsion midis kërkesave të personave me aftësi të kufizuar dhe kempeve me disa vula”. sqaroi Rama.

Ndërsa, teksa po i përgjigjej pyetjeve për ujin, Rama nuk kurseu as ironitë me LSI-në dhe Akademinë e Shkencave. “Këtu ka një pyetje që unë nuk mund t’i përgjigjem dot, ndoshta vetëm Akademia e pareformuar e Shkencave mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. “Çfarë mund të ketë më të rëndësishme për shqiptarët se uji?”, tha Rama duke lexuar pyetjen që e cilësoi si emocionale. /b.l/noa.al/