Transmetuar më 11-09-2017, 11:19

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të akademikut të njohur, profesor Farudin Hoxha.

“Mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Profesor Farudin Hoxhës, të njeriut e punëtorit tē palodhur, të Akademikut fjalë pak e punë shumë, kontributet e të cilit janë të prekshme në të gjithë vendin!

Edhe pse nuk e kam njohur personalisht, njoh e nderoj dimensionet e emrit e të kontributit të tij të vyer, ndaj bashkë me nderimin për gjitha sa Profesor Farudin Hoxha i ka dhënë e i la Shqipërisë, shpreh keqardhje e dhembje për largimin nga jeta të një njeriu e qytetari, që jo gjithmonë mori gjatë këtyre 27 viteve të fundit mirënjohjen e nderimin që meritonte! U prehtë në paqe”, shkruan Kryemadhi.

Akademiku Hoxha, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në moshën 82-vjeçare. Vdekja e tij erdhi pas komplikimeve shëndetësore, të cilat ishin shtuar shumë me kalimin e viteve.

Ai njihet si projektuesi i shumë veprave hidroenergjetike në Shqipëri, ndërkohë që ka qenë edhe ministër i Ndërtimit. Farudin Hoxha është një nga projektuesit e famshëm të kaskadës së Drinit flet për energjinë. /b.l/noa.al/