Transmetuar më 10-09-2017, 12:18

Kopshti 55 në Njësinë 4 është i 30-ti që rikonstruktohet nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj, inspektoi përfundimin e punimeve dhe theksoi se ky është një tjetër premtim i dhënë gjatë fushatës dhe i bërë realitet në vetëm pak muaj.

“Jam shumë entuziast që përfunduam kopshtin e 30-të. Ka qenë një premtim i bërë në fushatë, sot e mbajmë, pak ditë pasi ka mbaruar fushata dhe është krijuar Qeveria e re, për të treguar se nuk duhet të kalojnë 4 vjet për të mbajtur një premtim, punën e sotme nuk duhet ta lemë për nesër. Më në fund kemi marrë një vendimmarrje historike, pra të mos mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme. Gjenerata e ardhshme fillon me çerdhet dhe kopshtet”, tha Veliaj.

Ai shtoi se me këtë kopsht përfundojnë së rikonstruktuari të gjitha kopshtet dhe çerdhet në njësinë 4, duke krijuar tashmë mundësinë që vëmendja të zhvendoset edhe në njësi të tjera.

“Njësia 4 është një tjetër njësi ku kemi përfunduar rikonstruksionin e të gjitha kopshteve dhe çerdheve dhe më në fund do kalojmë në njësi të tjera më periferike. Shumë shpejt do të hapim edhe çerdhe e kopësht të ri te Bregu i Lumit, duke iu përgjigjur me ofertë konkrete të gjitha kërkesave që kanë prindërit për kopshte dhe çerdhe të reja”, tha kryetari i Bashkisë.

Ai nënvizoi faktin se investimet shumë cilësore të realizuara në të gjitha çerdhet dhe kopshtet ku ka ndërhyrë Bashkia e Tiranës, ka bërë që të rritet ndjeshëm kërkesa e prindërve për të çuar fëmijët e tyre në to.

“Kemi pasur një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash për t’u regjistruar në institucionet publike, çerdhet, kopshtet. Mbaj mend përpara dy vitesh ishin bosh sepse nuk donte njeri, sot kemi nga 8-9 kërkesa për një vend”, shtoi Veliaj.

Ai u shpreh se Bashkia e Tiranës është e vendosur t’i përgjigjet zhvillimit demografik të qytetit si në infrastrukturë rrugore, ashtu edhe në atë arsimore dhe sociale.

“Do të bëjmë të pamundurën, në një qytet që po rritet me 25-30 mijë veta çdo vit, gjithashtu duhet të mbajmë hapin e këtyre institucioneve. Por, tani që kemi mbaruar me çerdhet dhe kopshtet, jemi gati të kalojmë te shkollat e reja, që kush përfundon këtë kopsht të mrekullueshëm të ketë gjithashtu një shkollë të mrekullueshme ku të vazhdojë dhe të bëhet një qytetar i mirë i Tiranës”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.