Transmetuar më 09-09-2017, 21:49

Regjisori i mirënjohur Pëllumb Kulla i ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktores së madhe të teatrit, filmit, kinemasë shqiptare Hajrie Rondo.

Kulla e ka cilësuar të mrekullueshme dhe me aftësi të pamata aktoren Rondo, e cila u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.

Sipas Kullës, Hajrie Rondo “shkroi emrin në arritjet e mëdha artistike do të mbetet në zemrat dhe memorien e shqiptarëve”.

Postimi i plotë i Pëllumb Kullës:

NJË LAJM MJAFT i HIDHUR, SOT

Hajrie Rondo, shoqja jonë e skenës së Fierit, aktorja e talentuar e teatrit dhe e ekranit, u shua sot pas një sëmundje të rëndë që ajo e luftoi me forcën e jashtzakonshme të vullnetit të saj, me dashurinë e madhe për jetën ende të re, për burrin e saj, fëmijët dhe familjet e tyre, me dashurinë për artin dhe spektatorin që e çmoi aq shumë në të gjitha paraqitjet e saj në skenë dhe ekran.

E mrekullueshmja Hajrie, që për meritë të vet, të aftësive të pamata që kishte brënda saj, shkroi emrin në arritjet e mëdha artistike do të mbetet në zemrat dhe memorjen e spektatorëve të Fierit, të vendit dhe të shqiptarëve jashtë kufijve të atdheut, ku ndodhen ata.

Ne, Xhuljeta dhe unë, shfaqim pikëllimin tonë dhe që së largu i dërgojmë të shoqit KIço Rondo, vajzës dhe djalit, ngushëllimet tona dhe lutim Zotin që ta ketë të dashurën shoqen tone, mes ëngjëjve.

Të qoftë i lehtë dheu, Hajrie e shtrenjtë!/a.k/noa.al/