Transmetuar më 09-09-2017, 12:33

Bashkia e Tiranës hapi sot për automjetet segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke zgjidhur problemin e trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.

Punimet përfunduan në kohë rekord dhe investimi vjen si një premtim i mbajtur për ta hapur atë përpara fillimit të vitit të ri shkollor 2017-2018. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mënyrë simbolike hoqi barrierat kufizuese, duke i hapur rrugë qarkullimit të automjeteve në këtë segment tepër të rëndësishëm, i cili do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin këtë segment të ri, çka ul qarkullimin e automjeteve në qendër të Tiranës.

“Jam shumë i lumtur që sot mori fund një agoni shumëvjeçare në Njësinë 5. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë, që nëse hyjnë nga autostrada e Durrësit në drejtim të Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës, të mos futen më në Tiranë, pasi mjafton të përdorin këtë segment të Unazës së Madhe për të dalë në Farkë e për të vazhduar me autostradën Tiranë-Elbasan.

Anasjelltas, kush vjen nga juglindja drejt veriut e këshilloj të mos kalojë nga Rruga e Elbasanit, por të përdorë sërish këtë by-pass për të dalë menjëherë në autostradën tjetër”, tha Veliaj, duke shtuar se rruga e re do të përmirësojë jetesën edhe të mijërave banorëve në të dyja anët e saj, siç është zona e Komunës së Parisit dhe e Kodrës së Diellit.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur nga ana e qeverisë shqiptare dhe e Bashkisë së Tiranës për hapjen e këtij segmenti tepër të rëndësishëm të Unazës së Madhe përpara fillimit të vitit të ri shkollor.

“Kemi qenë me Pandeli Majkon dhe kryeministrin Rama në këtë vend edhe gjatë fushatës, për të premtuar se përpara fillimit të vitit të ri shkollor do ta mbanim fjalën, do ta hapnim këtë segment të Unazës”, tha ai. Veliaj falenderoi autoritetet e pushtetit qendror për përfundimin e këtij projekti, ndërsa shprehu besimin se në mandatin e dytë të qeverisë, Tiranën e presin projekte edhe më të mëdha.

 Veliaj u bëri apel drejtuesve të automjeteve dhe të motorëve që të respektojnë normat e qarkullimit rrugor, ndërsa siguroi se Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe me Policinë Bashkiake do të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme lëvizjen e mjeteve. /b.l/noa.al/