Transmetuar më 09-09-2017, 12:07

Shqipëria ka bazën kombëtare të të dhënave të gjendjes civile për 4.2 milion shtetas shqiptarë”. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët për 100 ditët e para të qeverisjes.

Numri i popullsisë i dhënë nga kryeministri erdhi pas pyetjes së drejtuar nga gazetarë se nëse, në fund të këtij mandati të parë qeverisës, pas 4 vitesh, a ka Edi Rama diçka që e ka konsideruar, ose ka vlerësuar që e ka bërë gabim gjatë qeverisjes së tij.

Në përgjigjen e tij ai u shpreh se me rëndësi është se po ndërtojnë një mekanizëm qeverisës dhe një proces qeverisës që do të jetë shumë më i rëndësishëm për njerëzit seç ka qenë deri më sot, duke u fokusuar dhe numri i popullsisë dhe prodhimi i certifikatave në vend.

“Ajo që është e rëndësishme dhe që besoj është pika ku duhet vënë theksi, është që ne po ndërtojmë një mekanizëm qeverisës dhe një proces qeverisës që do të jetë shumë më i rëndësishëm për njerëzit seç ka qenë deri më sot, që do të zhbllokojë shumë energji të ndrydhura, forca të ndrydhura dhe do të lehtësojë shumë streset e njerëzve në raport me shtetin, në raport me burokracinë, në raport me zyrat. 

E shkruajta dje. Italia ka 70 milionë njerëz dhe prodhon më pak se 1 milionë certifikata në vit. Ne kemi, duke marrë dhe ata që janë jashtë, 4.2 milion dhe prodhojmë 4.5 milionë certifikata, që është një çmenduri. Heqja e certifikatave si një detyrim i njerëzve për të marrë një shërbim që duhet shkojnë të marrin certifikatën, noterin, etj., etj., dhe vendosja e barrës mbi burokracinë që të marrë certifikatën e kujtdo që kërkon një shërbim, apo dëshminë e penalitetit, apo dokumente të tjera që janë shtet më shtet është një lehtësim shumë i madh për njerëzit, kohe, edhe lehtësi financiare edhe lehtësim psikologjik që do të sjellë një çlirim shumë të madh”, u shpreh Rama.

Por duhet theksuar se pavarësisht regjistrimeve zyrtare të popullsisë që bëhen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, asnjëherë nuk dihet sa shqiptarë ka në botë për shkak të shpërnguljeve të vazhdueshme ndër vite.

Megjithatë ajo që dihet është se shqiptarët në shumë vende të botës janë me mijëra, ku disa thonë se në gjithë botën ata kapin shifrën e të paktën 10 milionë. Shifra të sakta të shqiptarëve në tërësi përfshirë ata të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi apo gjithë vendeve të tjera shqip folëse nuk ka.

Ndërsa gjatë muajit janar të këtij viti INSTAT bëri me dije se Popullsia e Shqipërisë rezultoi 2.88 milionë, ku sipas saj pësoi rritje për herë të parë që nga viti 2001. Krahasuar me një vit më parë popullsia u rrit me 1 mijë banorë. Në 1 janar 2017, bën të ditur Instituti i Statistikave (INSTAT), popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet 2.876.591 banorë. /b.l/noa.al/