Transmetuar më 08-09-2017, 20:35

Mjekët në Indi kanë mundur të heqin me sukses 7 dhëmbë nga goja e një foshnje 1 muajshe.

“Foshnja është në gjendje të mirë”, tha për BBC mjeku Meet Ramatri, mjeku që kreu operacionin në muajin gusht.

Ai tha se procedura e ndërlikuar u krye në dy stade, ku fillimisht u bë e mundur heqja e 4 dhëmbëve dhe më pas e 3 të tjerëve.

Dhëmbët e bebes u zbuluan pak ditë pas lindjes së tij. Prindërit e kishin çuar vogëlushin tek pediatri pasi kishin vënë re se ai kishte vështirësi në ushqyerjen me gji.

Pas ekzaminimeve, pediatri kishte vënë re dhëmbët në gojën e të voglit dhe e kishte drejtuar familjen e tij tek dr. Ramatri, që është dentist.

“Kur e ekzaminova, pashë se ai kishte 7 dhëmbë. Ndonjëherë është e zakonshme të dallosh majën e ndonjë dhëmbi tek të sapolindurit, por ata nuk rriten për një kohë të gjatë. Në këtë rast dhëmbët ishin plotësisht të rritur”, tha doktori.