Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Kadri Veselin, kryetar të këtij institucioni. Zgjedhja e Veselit në postin e kryetarit të Kuvendit ka pasur negociatat e gjata politike ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, fillimisht me Alenacën Kosova e Re dhe në fund me pakicat.
Seanca e sotme, ishte vazhdimësi e seancës konstituive të 3 gushtit, e cila gjashtë herë u ndërpre, për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni.
Zgjedhjen e Veselit nuk e kanë përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Bashkë me krytarin deputetët kanë votuar edhe pesë nënkryetarët e rinj, të cilët përbëjnë kryesinë e re të Kuvendit.
Nga momenti i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
Tani, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, i takon koalicionit PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat që të nominojnë edhe zyrtarisht mandatin për formimin e Qeverisë së re. Pritet që ai të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas procedurave, Haradinaj duhet të marr bekimin e presidentit Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën e seancës për zgjedhjen e qeverisë.
Pas konstituimit të Kuvendit, votimi për qeverinë mund të ndodhë që nga sot pasdite apo edhe brenda periudhës prej 15 ditëve. /b.l/noa.al/