Transmetuar më 07-09-2017, 12:04

Pas Holandës, edhe Franca mund të kërkojë rivendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Por ndryshe nga Amsterdami, që këtë hap e kërkon për të ndalur organizatat kriminale shqiptare që veprojnë kryesisht në trafikun e drogës, për Parisin shkak janë kërkesat e larta për azil që vijnë nga Shqipëria.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme franceze tregojnë se Shqipëria mban vendin e parë të numrit të azilkërkuesve për vitin 2017. Në tabelën e publikuar në të përditshmen “Le Figaro”, nga janari deri në gusht, 7 256 shqiptarë kanë paraqitur kërkesë zyrtare për azil në Francë.

Kërkesat janë 178.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2016. Në vend të dytë renditet Afganistani me 3 566 kërkesa, më pak se gjysma e Shqipërisë. Pasojnë Haiti, Sudani dhe Siria.

“Për të kontrolluar situatën, Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë të njëjtat klauzola mbrojtëse që kërkoi për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: një rivendosje të vizave në rast të abuzimit me mikpritjen”, shkruan gazeta “Le Figaro”.

Sipas gazetës, të paktën 3 avionë kanë mbërritur nga Franca në Paris këtë verë, me shqiptarë që u është refuzuar kërkesa për azil. Situata është aq shqetësuese saqë Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb, organizon çdo javë videokonferenca me prefektët e zonave që kanë probleme me kërkesat për azil që vijnë nga shqiptarët, veçanërisht ata nga pjesa e lindjes së Francës.

Deri tani Franca ka regjistruar 4 911 kerkesa të reja zyrtare për azil, një numër që shkon në 7 256 duke shtuar edhe minorenët që i shoqërojnë azilkërkuesit. Numri është dukshëm më i lartë se ai i azilkërkuesve sirianë që vijnë nga një vend në luftë.