Transmetuar më 07-09-2017, 11:50

Cristian Panucci ka dalë në konferencë për shtyp mesditën e sotme për të analizuar dhe “skanuar” dy ndeshjet e fundit kualifikuese, në të cilat u morën 4 pikë: fitore 2-0 ndaj Lihtenshtejnit në “Elbasan Arena” dhe barazim 1-1 në “Mladost”, kundër Maqedonisë.

Për ish-lojtarin e Romës dhe Real Madridit ky ishte debutim në krye të kuqezinjve. Ai ka bërë me dije se pas çdo ndeshjeje eliminatore do të kthehet në selinë e federatës, për të bërë konferencën e shtypit. Sepse, këtë e konsideron edhe një respekt për punën e gazetarëve. 

“Tashmë i njoh shumë më mirë lojtarët e mi. Duke konsideruar faktin e fillimit delikat të sezonit dhe, kur shumë lojtarë në klubet respektive janë duke u sforcuar në aspektin fizik për të luajtur, i trembesha shumë situatës para dy ndeshjeve, pikërisht për kondicionin fizik.

Sikundër edhe e pamë, e patëm rastin domethënës: Franca kundër Luksemburgut. Në momentin kur ke mundur Lihtenshtejnin të është dukur gjithçka e thjeshtë. Absolutisht nuk ka qenë kështu”, u shpreh Panucci.

Më tej ai shtoi se, “Sa u takon dy ndeshjeve, jam i kënaqur, sepse Lihtenshtejni nuk goditi asnjëherë në portën tonë. Në 30 minutat e para kemi luajtur shumë lehtë, por duke patur një ide për atë që duhet të bënim në fushë. Më tej, sa i përket lehtësisë në fushë, nuk arritëm të merrnin avantazhin.

 Në pjesën e dytë ndryshoi gjithcka, jo vetëm për golat. Patëm më shumë ritëm dhe shkuam te goli. Për gjërat që i kam kërkuar, arritëm t’i respektonim ato.

Më pas erdhi Maqedonia. Natyrisht, në radhë të parë, nuk më pëlqejnë shumë të falurat nëse fiton apo humbet. Eshtë e drejtë që jam këtu për të analizuar punën në këto dy ndeshje, për të respektuar edhe punën tuaj si gazetarë. Nëse do të isha në klub, nuk do ta bëja.

Në Maqedoni bëra ndryshimet, Lila me Kukelin ishin më përpara, sepse pata besim te forca e tyre fizike. Por, në të njëjtën kohë, në pozicionim më përpara ishin edhe Hysa, Roshi, Sadiku dhe Llullaku. Maqedonia ishte shumë e ashpër në kundërsulm.Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, por nuk vuajtëm”.