Transmetuar më 06-09-2017, 20:14

Një histori e rëndë vjen nga një grua nga Shkodra, e cila ka rrëfyer ndodhinë e saj përmes një letre dërguar në faqen e facebook-ut të “ShkodraNwës.

Ajo tregon se si kishte njohur një shoqë në ambientin e punës, dhe ishin miqësuar aq shumë sa herë pas here e merrte në shtëpi.

Pas disa kohësh, rrëfehet ajo, burri i kishte thënë se ka rënë në dashuri me shoqen e saj dhe se bashkë do të iknin në Gjermani.

Edhe pse një fakt mjaft i rëndë ky, gruaja shkruan se nuk u trondit nga ajo që i tha burri, por u tha “ju raftë haku jem ishalla”.

Por nuk mbaron me kaq. Sikur të mos mjaftonte kjo histori, gruaja tregon se vendosi të rrijë te prindërit e ish-burrit, dhe thotë se nuk do t’i braktisë asnjëherë.

Rrëfimi i plotë:

“Ka dhimbje edhe dhimbje. Por njeriu qenka i fortë. Jam një zonjë 43 vjeçe. Më kanë martu me shkuesi që kur isha 17 vjeçe. Burrin e kam dashur dhe e dua.

Nuk di nëse mka dashur, por them që kemi kaluar mirë deri para 4 vitesh. Kohë kur nisa punë në një fabrikë këpucësh, pas shumë vitesh shtëpiake sepse burrin nga Bushati e kam xheloz. Por kur prindërit e tij të dy u sëmurën, u detyrova me u fut dhe unë në punë.

Fëmijë nuk kemi, ai ka probleme dhe unë e mbajta se e doja. Kur punoja në fabrikën e këpucëve njoha një shoqe dhe u lidhëm shumë bashkë. Ajo ishte ndarë nga burri e duke ken se jetote vetëm në Shkodër më vinte shpesh në shtëpi e pinim kafe me vjehrren.

Burri e përcjellte kur hante darke tek ne se na vinte keq me e nxjerr me barkun bosh. Pas disa kohësh shoqëri, s’kisha kuptu gjallë gja me dek, vjen burri e më thot ka ra në dashuri me të e duan të ikin në gjermani. E merrni me mend ça përjetova.

Kjaj unë, kjaj baba e nana, prindërit e tij. Nuk u luta as nuk shava. Sdi ku ma dha zoti forcën i thashë vetëm: Ju raftë haku jem ishalla. Prej asaj dite janë bashkë, ajo pret një fëmijë.

Unë jetoj me vjehrrin e vjehrren kujdesem për ta. Ata janë familja jeme dhe nuk pranojnë ma nuse tjetër. Djalin i them mos më e hedh poshtë, por ata thonë që mkan veç mu vajzë.

Unë sa t’kem frymë do kujdesem për ta se jam rrit në shpinë e tyre e nana e baba smë jan aq krah. As e baj për shpi, as për asnjë gja. Djali i tyne i bani hasha për një femër, por unë skam për ti braktis edhe pse kam pas raste me u sistemu”, shkruan ajo.