Transmetuar më 06-09-2017, 13:06

Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, ku drejtuesit këmbyen vendet dhe nënkryetari u bë kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vjen dorëheqja e parë në këtë institucion.

Mësohet se nënkryetari i sapozgjedhur, akademiku Myzafer Korkuti ka dhënë sot dorëheqjen nga posti në të cilin u zgjodh vetëm së fundi me votën e anëtarëve. Në kërkesën e dorëzuar, Korkuti e argumenton dorëheqjen me shkaqe personale të tij.

“Të nderuar kolegë anëtarë të Akademisë. Duke Ju falenderuar për rinovimin në postin e zv/kryetarit të Akademisë, për arsye personale jap dorëheqjen time të pa revokueshme nga ky post”, shkruan Korkuti.

Pas dorëheqjes së nënkryetarit, Akademia ka vendosur thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Asamblesë më datën 11 shtator, ku do të diskutohet për reformimin e institucionit.

Ndërkohë që kryetari i sapozgjedhur Gudar Beqiraj nuk ka bërë asnjë reagim dhe nuk dihet nëse do të ndjekë nënkryetarin me ndonjë dorëheqje të mundshme. Kujtojmë se Korkuti u zgjodh nenkryetari i Akademise me 27 vota pro, 3 kundër dhe një abstenim.

Pikerisht ditën e zgjedhjeve në Akademi, kryeministri Rama reagoi publikisht me thirrjen ‘Stop Farsës’, e duke kerkuar reformin të menjëhershëm, duke kërcënuar se nëse Akademia vijon me të sajën, do t’i presë buxhetin. Dhe në fakt, ashtu vendosi.