Transmetuar më 05-09-2017, 14:33
Publicitet

Ndërrohen rolet, nëse në shumicën e rasteve janë vajzat shqiptare ato që trafikohen drejt Italisë, kësaj radhe ka ndodhur e kundërta.

Një person është vënë në prangat e policisë së Tiranës dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, të vënë nën akuzë se kanë trafikuar drejt Shqipërisë me qëllim shfrytëzimi për prostitucion, një vajzë italiane 23-vjeçaree.

Në sajë të hetimeve intensive, gjatë ditës së djeshme, e hënë, policia vuri në pranga 46-vjeçarin Bardhok Prenga, banues në Tiranë.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim M.Gj., 46 vjeç dhe M.B., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i Prengës u bë i mundur pasi 23-vjeçarja italiane ka bërë kallëzim në policinë e Tiranës, ndaj tij dhe dy të shpallurve në kërkim.

Ajo ka thënë se ata e kanë trafikuar nga Italia në Shqipëri me qëllim shfrytëzimi për prostitucion.

Për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhen me dije rrethanat se si është trafikuar e reja.

Ndërkohë ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Trafikim i personave të rritur”. /a.y/noa.al