Në vijim të kontrolleve në kuadër të Planit Operacional Kombëtar për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike është bërë i mundur sekuestrimi i 211 kg e 700 gram lëndë narkotike kanabis sativa në një vilë te Ujë i Ftohtë në Vlorë.
Sekuestrimi i lëndës narkotike erdhi si rezultat i operacionit anti-drogë të koduar “Fillim Vjeshte”, e cila çoi në arrestimin e një prej autorëve të dyshuar Dilaver Pecaj, si edhe u bë shpallja në kërkim e dy të tjerëve.
Operacioni është zhvilluar në lagjen "Uji i Ftohtë", në një banesë 2 katëshe, ku në një nga dhomat e kësaj banese është konstatuar dhe sekuestruar nga policia një sasi lënde narkotike kanabis sativa, me një peshë totale rreth 211 kg e 700 gramë.
Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi Dilaver Pecaj, 41 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë. Gjithashtu të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë rezultuar edhe shtetasit F.P., 47 vjeç dhe A.M. 34 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim policor.
Njëkohësisht po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e banesës për të cilën dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve". /b.l/noa.al/