Transmetuar më 03-09-2017, 21:58

Edmond Arizaj

Nuk e di sa real ishte, por unë të premten ndjeva rrezik. Një ditë që nisi me urime, me shënja dashurie, me mirësi, vazhdoi me urrejtje, mllef, inat, neveri. Ishte hera e parë që e shihja në këtë shkallë e në ditë të tilla si Kurban Bajrami, për besimtarët muslimanë ditë e shenjtë. Ka pasur përplasje verbale mes të panjohurve në rrjetet sociale që lëshohen kundër besimtarëve "kundershtarë" si turma fanatikësh. Por nuk kam lexuar kurrë si të premten aq figura publike të shkruanin me të tillë fjalor të agravuar, nxitës dhe përplasës. Ndonjëherë dhe për më pak ndodhin kataklizma që nuk mund të frenohen më. Dhe shihja i çmeritur se si portalet shqiptare, shpërndanin dhe botonin në një garë të ethshme për t'ia kaluar njëra-tjetrës lloj-lloj shkrimesh të emrave publikë gjithmonë, që më dukeshin krejt fals në "prekjen kombëtare" që ishte bërë heroit tonë kombëtar. (Imagjinoni se çfarë shkruhej nga anonimët luftarakë poshtë këtyre shkrimeve). Sepse Skënderbeu nuk ishte prekur. Nuk e kishte mbuluar askush. Kush ishte përdhosja pra e simbolit tonë?! Por kjo pak ka rëndësi. Për mua e rëndësishme, shumë madje, është tendenca që shfaqëm për një përplasje fetare. Po sigurisht fetare, sepse nuk pashë asgjë kombëtare në atë shpërthim nisur nga "fyerja e heroit". Ishte një urrejtje e akumuluar e mbledhur që priste veç një shkëndijë për të shpërthyer, kundër çallmave, burkave, mjekrave, islamëve, muslimanëve, Allahut, Kuranit, gjithçkaje që i përket këtij besimi. Gati-gati një thirrje për kryqëzatë. Nga erdhi? Si u mbars? Kush e hodhi gurin e parë? Kujt i duhet? Kujt i shërben? A nuk i kemi boll shqiptarët e bashkuar e deklaruar me ISIS, që duam të damkosim edhe gjysmën e popullatës si antikombëtare?! Nuk di ta shpjegoj. Por di të shpjegoj se atyre që u duhej prova e morën përgjigjen pozitive: shqiptarët mund të provokohen kollaj edhe në atë që mburren para botës, tolerancën fetare. Ne nuk u treguam tolerantë në një ditë që është veç për dashurinë dhe tolerancën. Mund të presim paskësaj, nëse nuk reagojmë në bllok, provokime më të rënda. Më habiti në fakt komuniteti musliman. Për t'u admiruar qetësia e tij, përballë furisë akuzuese. Dhe çuditërisht kjo vërehej edhe në komentet e anonimëve. Ndoshta ishte dita, nuk e di. Sidoqoftë. Është e dhimbshme, madje e tmerrshme që heroi ynë kombëtar, simboli i bashkimit dhe i qënies e identitetit tonë, të bëhet "yçkla" e urrejtjes ndërfetare gjasme në emër të dinjitetit kombëtar. Mos i fryni këtij zjarri. Shuajeni sa më shpejt. Ndryshe mund të na përvëlojë shumë keq, të gjithëve, siç ka bërë në çdo vend. Le të bashkëjetojmë me njëri tjetrin si shqiptarë, pa ushqyer urrejtjen e fanatikëve të çdo krahu e lloji. Dhe le të mos e përdorim më Gjergj Kastriot Skënderbeun. As të mos lejojmë të na përdorin, duke përdorur atë. Të premten treguam sa të dobët, të provokueshëm dhe të cënueshëm jemi. Të urojmë që nuk do të ndodhë më. Secili duhet të japë një dorë për t'i ikur këtij rreziku. Duke nisur nga mosnxitja e përçmimit për zakonet e feve të ndryshme.