Transmetuar më 01-09-2017, 08:05

Desi u tërhoq nga kërkesa e saj për urdhër mbrojtje, nuk luftoi në gjykatë për ta marrë atë e për tu ruajtur nga dhunuesi. Ajo nuk u paraqit në atë seancë dhe gjyqi u pushua. Sepse ky është ligji, sepse kështu thotë ligji.

Nga Anila Hoxha

2017 !!

Dija u vra, Natasha u vra, Lumturia u vra, Vera u vra, Fildesi u vra. Nga bashkëshortët apo ishët. Por Dija nuk e njihte ligjin, ishte një nënë, grua dhe motër e cila përpiqej që hallin e zhurmën e shtëpise mos ta dëgjonin të tjerët. I vinte turp ti dëgjohej zëri. I vinte turp ti kthente fjalën të shoqit, anipse ai pasi i mori jetë, i dha fund edhe të tijës. Ah është edhe Natasha, ajo u masakrua nga burri i dytë në krye të vitit e martuar.

Një grua që jetonte në fshatin Plug mes punëve të rënda dhe përpjekjeve për të stabilizuar fëmijët e martesës së parë. Burri i dytë që tani qan nga qelia, atë ditë i heshtur e shoqëroi për të pastruar shtëpinë e të bijës meqenëse ajo ishte emigrante. Dhe aty sikur të ishte një send i vërviti kryeve sqeparin. Ç’qe ajo fjale që nxiti zemërimin e tij? Ç’qe ai veprim që ai e deshi të vdekur? Natasha vdiq e mbytur në gjak ndoshta pa e ditur se ka një numër telefoni ku kërkohet ndihmë. Se ajo nuk ishte një shërbetore dhe as një robinë pa të drejta fjale dhe pronësie.

Eh si mund ta harroj Lumturinë e palumtur e të pafat. Edhe ajo u vra. Me çifte. Ishte gruaja e radhës për Beqir Xhilaj, e pafat kishte qenë edhe e mëparshmja edhe ajo ishte vrarë prej tij. Po ç’rëndësi ka, një burrë nuk duhet të kundërshtohet kurrë, një grua nuk duhet të mendojë asnjëherë, ajo duhet të bindet, të jetë aty për të punuar tokën, për të pastruar, pritur miqtë e përcjellur miqtë. Për të ruajtur nderin e për të bërë një mashkull të ndihet burrë. Tek e fundit edhe Vera ndaj u martua. Por e mjera ajo harroi rolin, nuk e servirte në kohë kafen dhe kjo është një arsye për tu vrarë. Sepse gra ndonjëhere ju duhet të jeni edhe sende dhe sendet përdoren. Poqese nuk duheni më atëherë jeni të panevojshme, por të drejtën për të flakur nuk e keni ju e kanë ata.

Dhe ja tek erdhëm tek Fildezja, ajo guxoi të divorcohej sepse e dinte ajo dhe vetëm ajo përsenë e madhe. Po si mund ti shkonte në mend Desit, kështu i pëlqente ti flisje që të shikonte jetën e saj pa marrë miratimin? Si mund të mendojë prona se kujt duhet ti përkasë? Po Desi ishte nënë, grua, motër si të gjitha ato që janë vrarë deri tani. Edhe si Manjola nga Dibra e para femër që nuk do ta harroj kurrë që erdhi dhe denoncoi dhunën e të shoqit. Sepse ajo i kërkonte llogari për oraret e vona dhe tradhëtitë. Dhe e meritoi thyerjen e krahut dhe të këmbëve.

Është ajo gruaja me fytyrë të nxirë nga dhuna që e keni parë shpesh duke ilustruar çdo rast gruaje dhe që sot e kësaj dite unë e përdor si arkiv. Sepse ajo nuk ishte dhunuar. Ajo ishte torturuar dhe kishte heshtur për 15 vjet, ja duke shtyrë ditët sa të rriste fëmijët, ja sa kalonte edhe ky sherr edhe ai. Se nuk i dihej.

Por ndërsa Manjola ishte martuar 14 vjeçe dhe jeta i mësoi se nuk jetohej kështu, Desi i njihte ligjet, çfarë e pengoi që u dorëzua? Nuk dua ta besoj që edhe ajo uli kokën nga turpi sepse nuk di si ta quaj tjetër, atë shikimin e të tjerëve kur je në prag divorci, kur ndahesh apo kur i kalon përbri rolit të caktuar nga shoqëria. Ndoshta Desi mendoi për fëmijët dhe harroi veten? Ndoshta u lodh nga komshiet dhe të tjerë që e rrethonin kur e pyesnin përditë, po hë u zbut ai, si po ja del vetëm me dy fëmijë?

Po e përseris Desi ishte jo vetëm një njeri solar por edhe dikush që i njihte plotësisht ato dreq ligje e të drejta dhe një dreq e di ç’tjetër duhet të dish për të qenë një femër. Pas luftës së divorcit dhe pasi shpëtoi njëherë nga vdekja, çfarë tjetër ndodhi me Desin përpara se ajo të qëllohej me ata dy plumba duke dalë nga parukeria. Desi, kjo femër ekselenete që fitoi e 6-ta magjistraturën dhe e donte ligjin edhe sepse sipas saj me të qeshur thoshte femrat s’ka nevojë të studiojnë për drejtësi, ato kanë gjithmonë të drejtë.

Desi u tërhoq nga kërkesa e saj për urdhër mbrojtje, nuk luftoi në gjykatë për ta marrë atë e për tu ruajtur nga dhunuesi. Ajo nuk u paraqit në atë seancë dhe gjyqi u pushua. Sepse ky është ligji, sepse kështu thotë ligji.

Njëlloj siç bëri Valbona që u tërhoq nga urdhri i mbrojtjes e njëlloj siç veprojnë ato gra që kanë çuar burrat në burg për shkak të dhunës dhe pastaj shkojnë ti takojnë në burg. Me shpresën se burri ka ndryshuar dhe është bërë burrë.

Sepse ai është turpëruar nga ky eksagjerim i gruas së tij dhe fisi, fshati, qyteti dhe dreqi po qeshin që ai u katandis kështu nga një grua.

Grua moj ç’je ti që të dërgon në burg për një shuplakë? Grua moj detyra jote është nderi, burri, buka, fëmija dhe të tjerat si për shembull jeta, pusho se s’të pyeti njeri !

Anila Hoxha- Gazetare e kronikës së zezë