Transmetuar më 31-08-2017, 23:09
Publicitet

Nga Dritan Hila

Sot në qendër të Tiranës është vrarë një gjykatëse. Është një lajm nga ato që do të ishte headline në çdo vend të botës për më shumë se një javë. Por jo vetëm. Vrasja e një gjykatëseje, e një individi që urdhërojnë mbrojtjen e të tjerëve, por nuk ka mundur të sigurojë veten dhe ka përfunduar viktimë do të kishte shkaktuar tërmet. Ta kishte për herë të dytë kërcënimin dhe agresori të ishte recidiv është për të vënë duart në kokë. Tek ne nuk ndodh gjë. Gjithë klasa politike shprehte keqardhjen, a thua se vinë nga një planet tjetër dhe nuk janë ata autorë dhe aktorë të të sistemit dhe gjendjes së krijuar. Pas kësaj do mirëkuptoja çdo gjykatës apo prokuror që merr rryshfet pasi në rast se kërcënohet duhet të ketë një euro në xhep që t’ia mbathë diku në Evropë. Ngjarja e ndodhur sot është një përshkallëzim i regresit që po pëson emancipimi i femrës shqiptare. Gjithë deklaratat e koketave politike të Bashës, Ramës dhe Metës nuk kanë asnjë vlerë. Gjithë kuotat rozë të politikës treguan se janë një hiç dhe fasadë e ca burrave të fortë që nuk i rrahin, por i përdorin sepse ashtu i do Evropa. Janë skllave politike të tyre. Sot u vra në mes të Tiranës jo vetëm një punonjës i shtetit, dhe ky është turp i madh; por u vra një femër, një nënë. Vjen pasi njëri mbyt gruan me sëpatë; tjetri e hedh nënë e fëmijëve të tij nga dritarja dhe të gjitha këto pasi viktimat kishin kërkuar mbrojtjen e shtetit. Gjykatësja Hafizi kishte kërkuar edhe atë të SHBA. A mendoni se pas kësaj dite do të ketë ndonjë femër që do t’i drejtohet për divorc gjykatës? A mendoni se ndonjë grua pas ditës së sotme do besojë në mbrojtjen e shtetit? Vështirë. Që nga dita e sotme emancipimi i femrës shqiptare, të drejtat e saj, do të jenë vetëm në dorë të burrave shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë dëshirë të lëshojnë pozitën e tyre dominuese në shoqëri. Ditë më të zeza do të vijnë për gratë shqiptare, ku vështirësimi i kushteve ekonomike do të shoqërohet edhe me humbjen e lirisë së tyre. Barazia gjinore është dekada larg. U vulos sot në mes të Tiranës./dritare.net

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al