Transmetuar më 31-08-2017, 18:50

Policia publikon masat e marra në kuadër të ndeshjes me Shqipërisë dhe Liechtenstein, që do të luhet ditën e shtunë.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë përveç strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, do të angazhohen FLO, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Antiterrorit, si dhe nga drejtoritë e policisë Tiranë, Durrës e Korçë.

Konkretisht, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit. Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga“Kryqëzimi i tapetave” deri tek Kryqëzimi i “Ish-konservimit”

Nga Kryqëzimi i rrugës “Kamber Sejdini” deri në dalje në unazë në anën veriore të stadiumit. Në orën 12:00 nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në Bulevardin “Aqif Pasha”, nga Stadiumi deri tek Kryqëzimi i Dinamos.

Vendparkimet e mjeteve të tifozërisë vendase do të jenë:

Sheshi tek Kryqëzimi i Zaranikës, Pallati i Sportit dhe në vende të mundshme të lejuara për parkime.

Lëvizja e mjeteve të ekipit vendas dhe të huaj do të jetë Tiranë – Tunel – Bradashesh – Lulet- Rrethrrotullimi i Postës – Rrethi i Bashkisë – Kryqëzimi i Bulevardit me rrugën “Kamber Sejdini” – Stadium dhe kthim.

Po ashtu hyrja e sportdashësve do të fillojë tre orë para ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në Stadium.

Nuk do te lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë.

Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, krahas biletës duhet të kenë me vete edhe kartë identiteti.

Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit dhe nuk do të lejohen të hyjnë në stadium ata persona që do tentojnë të mbajnë me vete:

a) sende të forta,

b) shishe

c) fishekzjarrë

d) monedha apo metale 

e) çelësa të ndryshëm

Të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, nga ora 12:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllur. /k.k/noa.al/