Transmetuar më 31-08-2017, 14:34

Një krim tronditës ka ndodhur në mes të Tiranës, ku një gjyqtare është ekzekutuar me armë zjarri nga ish-bashkëshoshorti i saj.

Në deklaratën e policisë së Tiranës lidhur me krimin e rëndë, konfirmohet se burri ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij.

Viktimë ka mbetur gjyqtarja e Gjykatës së Shkodrës, Fildes Kasemi (Hafizi) 39 vjeçe, e cila është qëlluar për vdekje nga ish-bashkëshorti brenda makinës së saj.

Mësohet se viktima ndodhej në një makinë tip Benz C Clas ngjyrë gri, të parkuar në rrugë.

Bëhet e ditur se viktima ka debatuar ashpër me autorin dhe më tej është drejtuar për nga makina për tu larguar, por ish-bashkëshorti e ka qëlluar dy herë me armë, duke e lënë të vdekur në vend.

Shërbimet e policisë kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi 53 vjeç, pak momente pas ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit.

Sakaq grupi hetimor po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme.

Gjyqtarja është tentuar të vritet më parë

Mësohet se gjyqtarja e ndjerë është tentuar të vritet edhe para dy vitesh nga ish-bashkëshorti teksa ndodhej në plazh në Golem me dy fëmijët.

Mësohet se asokohe, Kasemi ka dhunuar Hafizin, me të cilën është përleshur fizikisht, ndërsa ndërhyrja e djalit të tyre ka shmangur tragjedinë.

I mituri është futur mes prindërve duke bërtitur dhe ky ka qenë momenti kur Kasemi pati moment hezitimi, por përsëri tentoi që të nxirrte armën ndërsa ish-bashkëshortja i lutej, “Mos e bëj, mos m’i lër fëmijët jetimë”.

Në përleshje e sipër mes tyre kanë ndërhyrë edhe pushuesit që gjendeshin pranë dhe kjo i dha mundësinë Fildesit që të marrë çantën ku ndodhej pistoleta dhe të thërriste për ndihmë.

Fadil Kasemi, kur ka konstatuar se Fildesi e ka parë, është afruar me vrap pa i lënë mundësi që të largohet apo të fshihet.

Sapo e ka arritur, Fadili ka tentuar të hapë një çantë dhe të nxjerrë diçka prej saj. Fildesi, duke dyshuar se ai donte të nxirrte armën, i është drejtuar duke iu lutur që të mos i linte fëmijët jetimë, si edhe ka tentuar t’i marrë çantën. Fadili ka reaguar duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë.

Nga verifikimi me gyp-indikator alkooli rezultoi se Fadil Kasemi kishte përdorur pije alkoolike dhe përmbajtja e alkoolit ishte 0.1%- 0.2 %.

Konflikti mes ish-bashkëshortëve lidhej me një vendim divorci të majit të vitit 2015. Pikërisht ndarja nuk është pranuar nga 51-vjeçari, i cili verbalisht më parë kishte kërcënuar ish-bashkëshorten me profesion gjyqtare.

Çifti ka patur probleme e mosmarrëveshje gjatë kohëve të fundit dhe Hafizi, duke u ndjerë e rrezikuar, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me kërkesë për lëshim të urdhrit të mbrojtjes, por në gjykimin e kërkesës së saj ajo nuk është paraqitur e për pasojë gjykata ka pushuar gjykimin. /a.y/noa.al