Transmetuar më 31-08-2017, 13:42
Publicitet

Kisha dhe manastiri i Shën Marenës, ndodhen në veri të fshatit Llëngë, Pogradec me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Ato konsiderohen ndër destinacionet kryesore të karakterit fetar, kulturor dhe turistik të Pogradecit.

Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qëndrore e kishës me një ikonostas druri 6 metra të gjerë dhe 4 metra të lartë.

Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpatarakut.

Të vendosura mes gjelbërimit të pyjeve, kisha dhe manastiri i Shën Marenës, mbrohen natyrshëm nga malet dhe grykat e thella, nëpër të cilat vërshojnë gurgullueshëm përrenjtë ujë plotë të Shkumbinit, shkruan ATA.

E ndërtuar në vitin 1754 si objekt kulti për shënjtoren çudibërëse Marenë, e cila sipas legjendës mendohet se vinte nga Pisidia e largët e Azisë së Vogël, zbukuruar me afresket të pikturuara nga mjeshtri Shpataraku, kisha përbën sot veçantinë e një vendi pelegrinazhi jo vetëm për besimtarët ortodoksë por edhe nga besimtarë të feve të tjera.

Po sipas legjendës gurët e kësaj shpelle sjellin mbarësi nëse mbahen në shtëpi. Ndaj historikisht banorët e kësaj treve kanë mbajtur në ambjente familjare gurë të marrë në këtë vend. Sipas banorëve këta gurë sjellin begati dhe mbrojnë nga sëmundje të ndryshme. Ata besojnë se e gjithë shpella është e bekuar dhe ndaj aty u ngrit manastiri dhe kisha. /b.l/noa.al/

Loading...