Transmetuar më 30-08-2017, 21:00

Nga Kadri Vata (Rrahmani)

Shumë është folur për zgjedhjet e 25 qershorit, por asgjë e vërtetë nuk u tha. Humbja e zgjedhjeve ka filluar qëkur e gjithë Shqipëria u mboll me drogë, posaçërisht për të blerë zgjedhjet. As Evropa e as Amerika nuk e pranuan qeverinë teknike pa Edi Ramën. Edi Rama e firmosi marrëveshjen dhe ka përfunduar blerjen e votave që i nevojiteshin. Humbja e 25 qershorit lidhet edhe me ’97-ën ku nuk humbi vetëm pushteti, por humbi edhe elektorati, i cili mori rrugët e botës për bukën e gojës e s’u kthye më.

Kur i vdiq i ati i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë ai ishte student, i la mësimet, u nda dhe nga mësuesi, Aristoteli e i zuri vendin të atit Mbret. Nga i ati, ai gjeti një ushtri të fortë dhe shumë të përgatitur. Në moshën e adoleshencës, Aleksandri i priu asaj ushtrie dhe pushtoi një pjesë të botës.

Pa dyshim, Basha çfarë ushtrie gjeti, se dhe zgjedhjet luftë janë. Një ushtri e shpartalluar, ku një pjesë e oficerëve e lanë detyrën dhe një pjesë tjetër që nga Tirana në New York duke propaganduar kundër komandantit. Ditën që filluan zgjedhjet apo lufta, Lulzim Basha ishte i vetëm si një zog pa krah, shokët e lanë në baltë. Po të ishte vërtet luftë, ligji i luftës, ata do t’i dënonte me vdekje, pasi braktisën detyrën, apo dolën kundër.

Kur vdiq Aleksandri i Madh i Maqedonisë, ushtria e fortë dhe e mirëpërgatitur nuk u dorëzua, ajo u nda në 4 pjesë sipas gjeneralëve, por vendet e pushtuara i mbrojtën për shumë vjet. Kjo tregon se një ushtri e fortë, e mirëpërgatitur edhe pa komandant arrin t’ia dalë, kurse një komandant pa ushtri nuk mund të rezistojë.

Nëse Enver Hoxha ishte i lindur diktator dhe me shpirt për komunizmin, Lulzim Basha është i lindur vizionar dhe orator për ta drejtuar Partinë Demokratike me mençuri dhe me një frymë më të re dhe më të gjallë, pasi 25 vjet janë mjaft duke i rënë  fyellit vetëm me një vrimë. Shumë njerëz bëhen artistë apo drejtues shteti, por jo të gjithë shkëlqejnë, pra vetëm ata që janë të lindur me talent shkëlqejnë dhe lënë gjurmë në jetë. Lulzim Basha nuk u vetëzgjodh, por u zgjodh me parimin “një anëtar, një votë”, herën e dytë mori 90% të votave dhe nëse dikush thotë që votat u blenë, ky është absurditeti më i madh.

Çdo parti e ka një ideal sa për të mos e shitur votën si elektorati i thjeshtë. Vota i jepet në radhë të parë atij që i besohet dhe kanë simpati për të. Njerëzit si Lulzim Basha shpeshherë vetë koha dhe historia i ka thirrur në skenë. Sesa i lidhur është Lulzim Basha me masat, këtë e tregoi çadra ku ndenji plot tre muaj. Kundërshtari nuk mundet kur gjithsecili kërkon për t’u bërë vetë i pari, por duke u bashkuar si një trup i vetëm.

I pari i mjekësisë, Hipokrati ka lënë një porosi: aty ku ka qelb, duhet të nxirret. Edhe sot në mjekësi thuhet: ku ka qelb duhet hequr, ku ka gabim duhet ndrequr. Ndërkaq, duhet të studiohet mirë 56%-ta e elektoratit që nuk mori pjesë në  zgjedhje, pasi shumica janë të PD-së. Dhe për elektoratin të mos kujtohemi vetëm kur vijnë zgjedhjet.

* Dërguar nga autori. Qëndrimet janë individuale