Transmetuar më 27-08-2017, 21:34
Publicitet

Nga Edison Kurani

Edi Rama u nominua sot zyrtarisht nga Gramoz Ruçi, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, si kandidat për kryeministër. Kandidatura kalon në Këshillin Kombëtar të kësaj partie, formalisht, për t’i shkuar po njësoj formalisht, edhe Presidentit për miratim.

Menjëherë më pas, i hapet rruga krijimit të qeverisë së re.

Rama, zgjodhi që kabinetin e ri ta shpallë në mbledhjen e partisë që ai drejton. Kryeministri që katër vjet bashkëdrejtoi herë me LSI dhe herë me PD, tani do të jetë i vetëm në atë që ai plot herë e quan timonin e vendit.

Me 74 mandate të sigurta dhe tre apo katër të tjera pranë tij, Rama pret që të çajë çdo bllokadë të mundshme në Kuvend, përjashtuar ligjeve që mund të duan më shumë vota apo shumicë të cilësuar. Një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, pasi ai arriti që në muajt e fundit të mandatit të kaluar, të miratojë me votat e thuajse të gjitha partive parlamentare, shumë reforma dhe paketa ligjore që kërkonin deri në 94 vota, duke lënë pak ose aspak të tjera për mandatin që nis në shtator.

Tani, më i sigurt se kurrë në opsionin e drejtimit të vendit për katër vite rresht deri më 2021, Rama ka përgatitur një qeveri, e cila ka 13 ministri, 2 ministra shteti pa portofol dhe një zëvendëskryeministre pa dikaster.

Risia e qeverisë së re ishte ndarja gati 50 për qind me 50 për qind e portofolëve ministrorë mes femrave dhe meshkujve. Janë gjashtë ministre dhe një zëvendëskryeministre, si dhe 7 ministra me Ramën kryeministër.

Kabineti është më i vogël se i mëparshmi, ashtu si bëri Berisha më 2009 kur në mandatin e dytë reduktoi portofolet ministrore.

Për herë të parë pas më shumë se 15 vjetësh, zhduket ministria e Integrimit Evropian dhe nuk thuhet asgjë se ku kalon puna e këtij dikasteri. Me shumë gjasë mund të mbulohet nga MPJ e Bushatit.

Nga ana tjetër, Rama, ndonëse ndjehet i sigurt në mandatin e tij në krye të qeverisë, duket se ndjehet po aq shumë i pasigurt, në fatin e kësaj qeverie, në përballje të mundshme gjatë katër viteve të ardhshme, me opozitën e re.

Nëse deri dje kishte përballë vetëm PD-në e Lulzim Bashës, tani Rama duhet të masë forcat edhe me LSI-në e Kryemadhit që bashkëshortin e ka në krye të shtetit.

E si Basha, ashtu dhe Kryemadhi, kanë paralajmëruar betejë të ashpër në Parlament, duke nisur që nga refuzimi i Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafajt nga PD e sulmi ndaj kryeministrit nga LSI.

Është në kujtesën e shumë prej nesh, opozita agresive e LSI që kur lindi si fraksion i PS më 2004, për të vijuar deri më 2009 me akuza të pafundme ndaj PS e PD. Por sidomos ndaj të parës, veçanërisht për ndryshimet kushtetuese që firmosën Berisha-Rama, duke rrezikuar tkurrjen e LSI për shkak të kodit të ri elektoral. Kundërshtimi i LSI shkoi deri në grevë urie brenda në sallën e seancave plenare të Kuvendit, nga deputetët e LSI me në krye Ilir Metën.

Pikërisht duke pasur parasysh të gjitha këto, e plot të tjera, Rama ka marrë masa drastike për të përballuar ashpërsinë opozitare: Ai ka vënë në krye të Kuvendit, Gramoz Ruçin, “të fortin” e PS, njeriun e tij besnik dhe i njohur si njeri i prerë, pa humor dhe pa batuta, por i stilit ushtarak i prerë.

Me Ruçin, Rama beson se do të arrijë të frenojë çdo përpjekje opozitare për të shkaktuar trazira parlamentare, e pse jo të ndalë sa të mundet, debatet e famshme të së enjtes ku epiqendra e tyre janë fjalimet e replikat jashtë rendit të ditës.

Njëkohësisht, Rama ka vënë një tjetër figurë socialiste në post të rëndësishëm. Taulant Balla do të jetë kryetari i ri i Grupit Parlamentar të PS.

Me këtë lëvizje, z.Rama pret që të përballojë sulmet opozitare duke përdorur aftësitë e Ballës për të sulmuar dhe replikuar gjithnjë e më egër.

Po ashtu, Balla shihet edhe si një dorë e fortë e deleguar prej Ramës në grupin socialist, që sipas orientimit të prerë të shefit të PS, duhet të jetë kompakt dhe i paluhatshëm në pranimin e vendimeve që merren prej liderit të tyre.

Mbetet të shohim se sa dhe si, kjo strategji e Ramës do të funksionojë përgjatë katër viteve të ardhshme.

* Themelues i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA

Loading...