Transmetuar më 23-08-2017, 23:19
Publicitet

Nga SOKOL BALLA

Lajmi i të martës në Top Channel për qeverinë e re, mund të ketë kapur gafil vetëm ndonjë emër deputeti që aspiron për ministër. Në thelb ai tregon të vërtetën që ne dinim për kabinetin e dytë qeverisës të Edi Ramës: Ai do jetë më i vogël dhe më në kontroll të Kryeministrit. Zoti Rama po respekton ato që ka thënë: në kabinetin e zvogëluar do ketë edhe më shumë femra si dhe ata që patën rezultat spektakolar në 25 qershor pavarësisht rrethanave të reja.

Duket se të gjitha kriteret, përfshirë edhe atë gjinor, i përmbush Lindita Nikolla. E para e qarkut Lezhë solli një rezultat të papritur pozitiv elektoral. Rikthimi i saj në qeveri është i sigurt, megjithëse besnikëria e saj ndaj Ramës nëse nuk do t’i japë thjesht Arsimin, mund t’i japë ose një portofol të zgjeruar, ku të përfshihet edhe Kultura, ose ndonjë nga postet e tjera të mëdha në lojë. Nëse për shembull Ditmir Bushati nuk mban postin e Ministrit të Jashtëm për shkak të një rezultati të debatueshëm në Shkodër (PS mori atje si kurrë më parë votat e votuesve të rinj por nuk arriti të jetë forcë e parë, edhe për shkak të efektit Doshi), përvoja e tij shumë e suksesshme në Diplomacinë Kombëtare, mund të zhvendosej tek Integrimi, “dashuria” e tij e parë. Në këtë rast posti i ministrit të Jashtëm është i hapur, por vetëm për një femër. A do të jetë ajo Nikolla apo Kodheli, duhet të presim vendimin e Ramës. Vetë Kodheli ka deklaruar lodhjen e saj me detyrën ministrore pak muaj para zgjedhjeve, por atëherë kjo deklaratë u lidh me ambiciet e saj jopublike për postin e Presidentit të Republikës. Në këtë rast posti i Mbrojtjes do të hapej logjikisht për dy emra: Taulant Balla i cili e aspiron, dhe Pandi Majko, të cilin të gjithë e shohin atje, në postin e tij të natyrshëm. Por duket se Edi Rama ka vendosur të mbajë përfundimisht larg kabinetit, “klasikët” e PS.

Përjashtim do të bëjnë vetëm dy emra: Gramoz Ruçi i cili mesa duket me postin e kryetarit të Kuvendit do të ketë 4 vitet e tij të fundit në politikën aktive dhe Fatmir Xhafa i cili rikthehet në postin e ministrit të Brendshëm. Ndërkohë emra si Klosi, Tahiri e Beqja janë me një këmbë jashtë kabinetit. Dikush për një arsye e dikush për një tjetër, këta emra të rëndësishëm politikë mund të vihen pikërisht: në poste të rëndësishme politike: Balla të kryesojë Grupin, Beqja ose Majko të drejtojë Ligjet dhe Klosi, organizimin e Partisë. Tahiri mund të drejtojë superkomisionin e Sigurisë Kombëtare, koshient se jashtë kabinetit po e lë logjika e një loje më të madhe politike, sesa performanca e tij si ministër (e cila mund të thuhet se pati jo pak suksese të mëdha, pavarësisht anatemimeve), apo rezultati i debatueshëm elektoral i Tiranës (18 mandate me fotofinish dhe gropa në Vorë dhe Kavajë).

Në Kavajë në fakt i deleguar ishte Arben Ahmetaj, por a do ta lërë kjo gjë atë jashtë Qeverisë? Duket se në kabinet posti i Financave do të rritet, i ngjashëm me Thesarin Britanik, por nëse Edi Rama nuk është “infatuuar” këto javë, me ndonjë personazh për ne deri tani të panjohur siç ishte dikur Rudina Seseri, Ahmetaj do ta mbajë postin e rëndësishëm. Performanca e tij te Financat habiti për mirë edhe vetë Ilir Metën, i cili votoi kundër simbolikisht, dekretin e shkarkimit të tij në kohën e ministrave teknikë. Pikërisht fluiditeti i raportit të ri PS-LSI mund të jetë një faktor plus për Ahmetajn, si një urë e mundshme bashkëpunimi mes dy partive, sot zyrtarisht rivale. Kur ndahet buxheti, deputetët janë të gjithë njësoj për Financat. Ata duan parà për rajonet e tyre. Dhe Ahmetaj me bekimin e Ramës, ka të gjithë tagrin të trajtojë pozitivisht kërkesat që vijnë edhe nga deputetët e LSI.

Një tjetër emër i padiskutueshëm brenda kabinetit është Damian Gjiknuri. Spektakolar në endeavour-et e tij elektorale, ai është tashmë në fokusin total të dashurisë politike të Kryeministrit. Bashkimi i Ekonomisë me Energjetikën e largon atë drejt superpostit tjetër qeveritar të këtyre katër viteve, Transportet. Rrugët do të jenë sipas Kryeministrit prioritet i Qeverisë. Spikat rruga e Arbrit, aty ku Gjiknuri fitoi Dibrën, Fier-Vlorë, sërish ku ai shkëlqeu në 25 qershor, por dhe rruga e Kardhiqit, ajo e Elbasanit si dhe akset e tjera të mëdha që do të lidhin Shqipërinë me Ballkanin dhe Europën.

Enigmatik mbetet emri që do të drejtojë superministrinë e Bujqësisë dhe Mjedisit. Logjika të sjell në mend emrin e Beqjes, por ai me gjasa të mëdha është jashtë Qeverisë, pasi mbi të ende dëgjohet zhurma e helikopterëve që vijnë nga fusha pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Bujqësia është një supersektor këto katër vjet. Dhe nëse nuk është Beqja, duhet të presim një ministër me këto parametra: femër, pranë Ramës dhe pranë Rilindjes. Bashkimi tjetër, ai i Ekonomisë me Turizmin dhe Rregullimin Urban sjell ndoshta përgjigjen, sepse zgjidh edhe dilemën: Ikonomi apo Gjermeni? Të gjithë ne e dimë ama preferencën: Milva është një prurje direkte e Ramës, megjithëse askush nuk mund të vërë në dyshim luajalitetin e Tinës ndaj kryeministrit dhe katapultimin e saj tek Bujqësia dhe Mjedisi (ose një rrokadë të mundshme të saj me Shalsin).

Sepse ky mandat i dytë qeverisës i të majtës nuk është i PS. Ky është mandati i Ramës, ose më saktë i Rilindjes. Kritikët ironikë e sarkastikë, të dukshëm e të padukshëm, brenda apo jashtë PS, brenda apo jashtë koalicionit, brenda apo jashtë vendit, bashkoheshin në talljet dhe kritikat e tyre në një toponim politik: Rilindja.

Javës tjetër, me zyrtarizimin e qeverisë së re, zyrtarizohet dhe hakmarrja e Edi Ramës dhe e Rilindjes. Ndaj prisni zhanrin e Manastirliut, Xhaçkës, të emrave më sipër, (por jo vetëm këta) të futen në kabinetin e parë të Edi Ramës si kryeministër i Rilindjes.

Sepse ky do të jetë kriteri politik i fshehtë, por vendimtar i pjesëmarrjes në kabinetin e ri qeveritar të autorit të “Rilindjes”. As performanca elektorale, as ajo politike.

Ndërsa të tjerët… si tek “Lulëkuqet mbi mure”: “Ngrohuni në diell!”

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”