Transmetuar më 23-08-2017, 13:53

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj, ka kërkuar mirëkuptim nga opinioni publik për mosformimin e institucioneve.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se vonesat për krijimin e institucioneve kanë të bëjnë me përpjekjen e këtij koalicioni për të gjetur formulën e një “qeverie stabilë”.

Ai ka kërkuar nga partitë politike dhe udhëheqësit e tyre të reflektojnë dhe t’i pranojnë rregullat e lojës që i ka përcaktuar Kushtetuta për zhbllokimin e krizës.

Postimi i plotë në “Facebook”

E para zgjedhjet e kanë prodhu rezultatin që e dini të gjithë. E dyta jemi përballë një kornize ligjore që nuk po krijon lehtësira. E treta nuk jemi aspak të interesuar që ta bëjmë një qeveri sa për ta bërë.

Vonesat kanë të bëjnë me gjetjen e një formule për institucione stabile qeverisëse dhe prandaj opinioni publik duhet të na mirëkuptojë.

Është koha që partitë politike dhe udhëheqësit e tyre të reflektojnë dhe t’i pranojnë rregullat e lojës që na i ka percaktu kushtetuta dhe gjykata kushtetuese dhe ta zhbllokojmë vendin. Ky vend nuk mund të jetë peng i inateve dhe kalkulimeve. /b.l/noa.al/