Transmetuar më 22-08-2017, 19:52
Publicitet

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme në Turqi pas një sëmundjeje të rëndë.

Ai është përcjellë sot për në banesën e fundit në varrezat e fshatit Shipol në Mitrovicë.

Presidenti Hashim Thaçi, në një postim në Facebook, e ka cilësuar ish-kryeministrin e parë të Kosovës, si “një ndër personalitetet emblematike me virtyte të rralla në rrugën e realizimit të lirisë dhe pavarësisë së vendit”.

“Me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit një burrështetas të shquar”-shkruan Thaçi.

Postimi i plotë i Hashim Thaçit:

“Në karrierën time politike tredekadëshe, Bajram Rexhepi, ishte ndër personalitetet emblematike me virtyte të rralla në rrugën e realizimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Dr. Bajram Rexhepi ishte mjeku i parë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me angazhime të larta shtetërore, ai ishte aty ku e kërkonte vendi, në Mitrovicë, në Bruksel, por edhe në Uashington dhe Nju Jork.

Ishte personalitet me integritet të lartë dhe i respektueshëm në nivel nacional.

Atë që e mendonte, e thoshte.

Me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit një burrështetas të shquar. Ne, bashkëmendimtarët, kolegët dhe miqtë e tij do ta ruajmë përjetë kujtimin për të.

Lavdi jetës, veprës dhe emrit të Dr. Bajram Rexhepit! HTH”./a.k/noa.al/