Transmetuar më 21-08-2017, 15:56

Çifti Kazanxhi jetonin në fshatin Plug të Lushnjës. Banesa e tyre ndodhej jo shumë larg asaj të vajzës së viktimës, e cila ishte larguar në Greqi.

Pas sherreve e deri në kanosje për shkak të xhelozisë e pijes së burrit, 51- vjeçarja është larguar nga banesa bashkëshortore dhe është strehuar te shtëpia e së bijës.

Banorë të lagjes janë shprehur se si burri pinte dhe se ata kishin probleme në çift.

“Ai pinte edhe para se ta merrte këtë grua. E para, prandaj e la se ishte pijanec. Kjo e dyta, e shkreta ishte edhe invalide. E mori më qafë”, u shpreh një banore që jeton afër banesës ku ndodhi ngjarja.

Sipas saj, Natasha shihte punën e saj dhe nuk ndihej në lagje. Ajo kishte probleme edhe me njërën këmbë, por sërish i shoqi e trajtonte keq duke e akuzuar deri në tradhti ndaj tij.

“Dëgjuam ulërimat e gruas, por kujt ia priste mendja për këtë tragjedi. Tajari pinte gjithnjë, por se kemi menduar kurrë se do të arrinte deri në këtë pikë. Ai e masakroi me sqeparin që e shoqja po pastronte barin”, u shpreh një fqinj i tij, shkruan “panorama”.

Banorët e fshatit Plug shprehen mjaft të revoltuar për këtë krim. “Nuk na ka bërë vaki këtu në fshat një ngjarje e tillë. Aq më shumë të sulmohet e masakrohet një grua invalide, e cila ka qenë në pamundësi për t’u vetëmbrojtur nga burri i saj i alkoolizuar”, shprehen ata.