Transmetuar më 21-08-2017, 09:12

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Diamantët” ka zbuluar autorët e një rasti të rëndë, ku një person është grabitur, dhunuar dhe i është vënë “gjobë” prej 10 mijë euro.

Nga ana e policisë mbrëmjen e së dielës, janë vënë në pranga dy persona të akuzuar për shtrëngim e dhunë për dhënie pasurie, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë Enea Duraj, 26 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Tiranë dhe Renato Toska, 28 vjeç, lindur në Ballsh dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit E. H., 31 vjeç.

Pas një pune hetimore ppër hetimin e ngjarjes së ndodhur më datë 19 gusht, tre të rinjtë dyshohet se janë autorët e grabitjes me dhunë të shtetasit R. S., në vendin e njohur si Yrshek, Tiranë, ku i kanë marrë një sasi monetare dhe disa sende të cilat ai i mbante në çantë.

Nga hetimi me metoda speciale nga ana e policisë, rezultoi se dy të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim, më pas e kanë kanosur të dëmtuarin, me qëllim përfitimin e shumës monetare prej 10 mijë euro.

Në momentin e ndërhyrjes nga forca operacionale e policisë, janë konstatuar Enea Duraj dhe Renato Toska, të cilët janë arrestuar në kohën e dorëzimit të kësaj shume monetare.

Gjatë kontrollit u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma monetare prej 5000 euro dhe 300 mijë lekë të reja, të cilat i janë vënë në dispozicion nga shtetasi R. S.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijimësi për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. /a.y/noa.al