Transmetuar më 21-08-2017, 08:09

Aleksandër Bardhi, vëllai i ish-kryekomunarit të Kaçinarit në Mirditë, Petrit Bardhi, u ekzekutua me armë automatike më 24 shtator të vitit të kaluar në fshatin Shëndëlli të Konispolit.

Ai u qëllua nga tre të rinj në momentin që i zbuloi, teksa i vidhnin disa rrënjë bime narkotike të llojit kanabis. Nga hetimet rezultoi se, 47-vjeçari u qëllua për vdekje ndërsa ndiqte të rinjtë me makinë, kurse ata po tentonin të largoheshin me një varkë përmes detit. Në momentin që ai u afrua, u qëllua me breshëri automatiku.

Të rinjtë u larguan me varkë, ndërsa Bardhi arriti të shkonte me këmbët e tij deri në banesë, por për shkak të plagëve të rënda dhe humbjes së gjakut gjatë rrugës, ndërroi jetë pa mbërritur ende në spital.

Policia konfirmoi dyshimin se vrasja e Aleksandër Bardhit ndodhi pasi tre të rinjtë ishin nisur nga Ksamili për të vjedhur disa bimë kanabis sativa në një parcelë që kishin zbuluar në fshatin Shëndëlli, pasi ishin konsumatorë të drogës. Pak pas ngjarjes, u arrestuan Dhimitër Çiko, 21 vjeç, Amarildo Lame, 19 vjeç ndërsa Albi Xhezairi, 21 vjeç, u shpall në kërkim.

Ndërkohë që i biri ishte në kërkim, Agron Xhezairit, 53 vjeç, iu bë atentat rreth një muaj pas vrasjes së Bardhit. Ndërsa po ecte me makinë, ai zbuloi një pako të dyshimtë, e cila rezultoi se ishte eksploziv dhe që u çaktivizua më pas nga RENEA.

Por ndonëse i shpëtoi këtij atentati, një muaj më pas, Agron Xhezairi, u ekzekutua me armë zjarri para shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:40, më 11 dhjetor 2016, në Ksamil. Mbi babanë e të shumëkërkuarit Albi Xhezairi, u qëllua disa herë me kallashnikov duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.

Në momentin e atentatit pranë 53-vjeçarit Xhezairi ndodhej kunata e tij, e cila ka parë gjithë skenën e krimit. “Më vrave qen!”, mësohet se ishin fjalët e fundit që ka thënë Agron Xhezairi pasi u qëllua.

Nga burime të Policisë mësohet se ditën e ekzekutimit, kishte shkuar për vizitë në familjen Xhezairi kunata e viktimës. Ky i fundit ka dalë për ta përcjellë, pasi ishte bërë errësirë. Nisur edhe nga ngjarjet e kohëve të fundit, në shtëpi Xhezairi mbante një qen të lidhur te makina për ruajtje.

Sa dolën jashtë e duke shkuar te makina nga kopshti i komshiut, është gjuajtur me armë mbi të.

Kunata e viktimës është ajo që e ka parë të gjithë skenën e krimit, por jo autorin, i cili ndodhej vetëm 5 metra larg, pas murit rrethues që e ndante shtëpinë e Xhezairit me atë të fqinjit, shkruan ‘panorama’.

Për këtë ngjarje, policia tha se kishte dyshime të forta për hakmarrje, pasi djali i tij, 21- vjeçari Albi Xhezairi, është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit.

Por, në mungesë të provave për vrasjen e 53-vjeçarit nuk pati asnjë person të arrestuar. Familja Bardhi, me origjinë nga Mirdita, është zhvendosur prej fillimit të viteve ‘90 në fshatin Shëndëlli të Sarandës. Ndërkaq, të shtunën mbrëma u shënua vrasja e tretë e Vangjel Çukos, e cila dyshohet se ka lidhje me dy të parat dhe që zanafilla ka qenë për disa bimë të mbjella me drogë.

Dyshimi kryesor i krimit tronditës është ai i hakmarrjes, kjo pasi Vangjel Çiko është babai i Dhimitër Çikos aktualisht i arrestuar si i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator 2016.

Dhimitër Çiko, akuzohet se bashkë me Albi Xhezairin i shpallur në kërkim dhe Amarildo Lamen, kanë vrarë Aleksandër Bardhin.

Ndërkohë më 12 dhjetor 2016, u vra edhe babai i Albi Xhezairit, Agron Xhezairi 53 vjeç.

Që të dyja këto krime, i mbrëmshmi dhe ai i dhjetorit të kaluar, dyshohet se kanë ndodhur për hakmarrje lidhur me vrasjen e Aleksandër Bardhit.

Vrasja për hakmarrje në Ksamil, gruaja dhe vajza i panë autorët

Ekzekutim me armë zjarri në Ksamil, e vrasin brenda makinës në oborrin e shtëpisë