Transmetuar më 21-08-2017, 07:59

Dy persona kanë rënë pre e grabitjes në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Të dëmtuarit kanë thënë se në terminal, teksa po prisnin orarin e nisjes së avionit i’u janë vjedhur sendet personale.

Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, në zonën e kontrollit fizik të aeroportit, duke bërë që pasi kanë konstatuar sendet e vjedhura, të bëjnë denoncim në policinë kufitare.

Një 43- vjeçar nga Tirana me iniciale A.A., pasi ka bërë kontrollin fizik, është ulur në lokalin që ndodhet në brendësi të terminalit, por pas pak minutash i kanë vjedhur çantën me sendet personale dhe një shumë parash prej rreth 2 mijë eurosh.

Për shkak se pavarësisht kontrolleve nuk e ka gjetur çantën, ka denoncuar gjithçka i ndodhi në polici.

Një rast i ngjashëm i ka ndodhur po gjatë së dielës një qytetari nga Fieri, S.Z., 41 vjeç.

Ai ka thënë në polici se teksa po kryente kontrollin fizik, i kanë vjedhur celularin që kishte me vete.

Për shkak të dy denoncimeve njëra pas tjetrës, policia bëri këqyrjen e kamerave të sigurisë, duke arritur të identifikojnë autorin e dyshuar. Bëhet fjalë për 50-vjeçarin nga Shkodra P.D., 50 vjeç.

Por koha që i’u desh policisë për identifikimin e tij, ka mjaftuar që i dyshuari të udhëtojë drejt Italisë, me avionin e linjës Tiranë-Romë, ku dhe kishte destinacionin. /a.y/noa.al