Transmetuar më 20-08-2017, 17:21

Përkundër publikimit të lajmit një ditë më parë, autoritetet shqiptare deklarojnë se Holanda nuk i ka shprehur asnjë shqetësim qeverisë shqiptare sa përket shtetasve shqiptare që udhëtojne apo qëndrojne në këtë vend.

Kështu ka deklaruar Drejtoresha e Përgjithshme e kufirit dhe migracioni Aida Hajnaj gjatë nje inspektimi në piken kufitare të Kakavijës.

Drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit, Aida Hajnaj, thotë se nuk ka pasur ankesa nga shteti holandez për rikthimin e vizave në hapësirën “Shengen”.

“Me Holandën ne nuk kemi pasur asnjë lloj problemi ose shqetësimi nga ana e tyre në lidhje me kërkesat e shetasve shqiptarë për azil, sidomos në këtë periudhë nga janari deri në gusht”.

Hajnaj thote se me palën holandeze do të punohet për evidentimin e rasteve të përfshirjes në veprimtari kriminale të shtetasve shqiptarë në Holandë.

“Sa i përket kriminalitetit të shtetasve shqiptarë në Holandë theksoj se policia e shtetit shqiptar bashkëpunon ngushtësisht me homologët e vet, misionet dhe atashetë që janë të vendosur në Shqipëri, që mbështesin policinë shqiptare dhe janë të gatshëm për të ngritur grupe të përbashkëta hetimi për të hetuar dhe goditur të gjitha këto grupe kriminale duke filluar që nga transfertat financiare të tyre deri tek konfiskimi i aseteve që ata kanë në Shqipëri”.

Hajnaj e bëri këtë deklaratë gjatë një inspektimi në Pikën Kufitare të Kakavijës ku ka fluks emigrantësh për shkak se pala greke punon me pak sportele.