Transmetuar më 20-08-2017, 13:21

Dalin detaje të reja lidhur me krimin në familje të ndodhur në zonën e Kamzës në Tiranë, ku burri vrau gruan me automatik dhe më pas i dha fund jetës.

Mësohet se çifti Halil Lita 65 vjeç dhe Dije Lita 60 vjeçe, ishin prindër të pesë fëmijëve, ku tre vajzat i kishin të martuara dhe dy djemtë në emigracion.

Ata jetonin në një vilë tre katëshe në gjendje të mirë ekonomike, ndërsa krimi ndodhi në kuzhinën shtëpisë.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se gjithçka ka ndodhur pas një debati të ashpër mes tyre paraditen e sotme, çka ka bërë që Halili në gjaknxehtësi e sipër të rrëmbejë armën dhe të qëllojë të shoqen në fytyrë, duke e shpërfytyruar.

I shokuar nga veprimi i tij, ai qëlloi edhe veten, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Por para se t’i jepte fund jetës ai telefonoi të vëllanë duke i thënë se kishte vrarë Dijen.

"Gjithçka u bë, s’e kthej dot pas", i tha 65-vjeçari të vëllait përpara se të shkrepte armën. 

Paraprakisht mendohet se gjithçka ka ndodhur për motive xhelozie, ndërsa familja Lita rezultojnë të respektuar në zonë.

Ngjarja tronditëse ndodhi gjatë paradites së sotme në zonën e njohur si “Frutikulturë” në Kamëz, ku policia u sinjalizua për të shtëna me armë zjarri. 

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e arsyes së këtij krimi në familje, ndërkohë që të afërmit e çiftit të ndjerë të cilët jetonin pranë tyre, janë shprehur të shokuar mbi krimin tronditës. /a.y/noa.al