Transmetuar më 20-08-2017, 13:09

Kryeministri Edi Rama thotë se edhe një javë mbetet për të aplikuar për zyrën e re të bashkëqeverisjes.

Ai bën me dije se numri i aplikimeve për t’u punësuar në Zyrën e Bashkëqeverisjes me Qytetaret është sot 275.

“Falenderojmë të interesuarit për aplikimet e tyre sipas kërkesave të aplikimit, për të cilin rikujtojmë se kërkohet letër motivimi (pse dua të punoj në ketë zyre) + CV + 2 letra rekomandimi të kandidaturës (nga ish-dekanë ose pedagoge të fakultetit ku aplikanti ka kryer studimet; punëdhënës të mëparshëm; figura të respektuara të komunitetit ku aplikanti ka banuar apo banon aktualisht). Përndryshe aplikimi konsiderohet i pavlefshëm”, shkruan Rama në Facebook.

Kreu i qeverisë kujton se aplikimet janë të hapura deri në 27 gusht.

Rama thotë se të gjithë ata që lexojnë për herë të parë për këtë zyrë të posaçme, e cila do të ngrihet menjëherë me krijimin e qeverisë së re, mund të marrin një informacion të plotë në postimin nr.1 me të njëjtin titull, të publikuar prej tij në Facebook. /a.y/noa.al