Transmetuar më 20-08-2017, 12:37

Zbulohen detaje të reja lidhur me krimin e ndodhur në Ksamil në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, ku mbeti i vrarë Vangjush Çiko.

Mësohet se viktima është qëlluar disa herë me pistoletë në oborrin e shtëpisë së tij, teksa ndodhej brenda në makinë.

Për shkak se plumbat e kanë prekur në kokë dhe në gjoks, ai ka gjetur vdekjen.

Mësohet se gruaja dhe vajza e të ndjerit panë dy persona duke u larguar me makinë, ndërsa para atentatit qëndronin të fshehur poshtë një peme ulliri që ndodhej në shtëpinë e viktimës.

Për shkak se zona ku ndodhi krimi ishte e pandriçuar, e kanë pasur më të lehtë për të vepruar.

Gruaja thërriste e tronditur “më vranë Gelin”, siç i thërrisnin të ndjerit, ndërkohë që vajza ka parë që autorët e dyshuar tentuan të largohen me makinë, por mjeti nuk u ndez.

Kjo bëri që njëri prej tyre të largohet me vrap nëpër rrugica, ndërsa tjetri është larguar pak më vonë, pasi makina është ndezur.

Dyshimi kryesor i krimit tronditës është ai i hakmarrjes, kjo pasi Vangjel Çiko është babai i Dhimitër Çikos aktualisht i arrestuar si i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator 2016.

Dhimitër Çiko, akuzohet se bashkë me Albi Xhezairin i shpallur në kërkim dhe Amarildo Lamen, kanë vrarë Aleksandër Bardhin.

Ndërkohë më 12 dhjetor 2016, u vra edhe babai i Albi Xhezairit, Agron Xhezairi 53 vjeç.

Që të dyja këto krime, i mbrëmshmi dhe ai i dhjetorit të kaluar, dyshohet se kanë ndodhur për hakmarrje lidhur me vrasjen e Aleksandër Bardhit. /a.y/noa.al

Ekzekutim me armë zjarri në Ksamil, e vrasin brenda makinës në oborrin e shtëpisë