Transmetuar më 20-08-2017, 10:20

Një operacion antidrogë i policisë italiane dhe asaj shqiptare, ka bërë të mundur bllokimin e një gomoneje dhe dy trafikantëve shqiptarë.

Gjatë këtij operacioni të zhvilluar gjatë mbrëmjes së të shtunës, janë sekuestruar 600 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.

Pas aktivizimit të alarmit nga Policia Kufitare e Vlorës dhe Guardia di Finanza në Shqipëri në orët e vona të natës së djeshme ka filluar në det një operacion antitrafik.

Falë një pune të përbashkët të Policisë Kufitare, Delta Forcë Vlorë dhe Guardia di Finanza të Barit, u kurorëzua operacioni.

Ky operacion u koordinua nga njësia ajrore e Frontex, duke bërë ndalimin e një gomoneje, që tentoi të trafikonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në drejtim të Italisë.

Në bordin e gomones janë kapur dhe arrestuar dy skafistë shqiptarë me inicialet L.R., 34 vjeç dhe H.D., 23 vjeç.

Gjatë ndjekjes dy trafikantët u përpoqën t’i shmangeshin disa herë patrulluesve dhe forcave policore që i ndiqnin duke kryer manovra të rrezikshme në det.

Në fund para se të ndaloheshin dy trafikantët hodhën lëndën narkotike në det, e cila po rikuperohet ku deri tani janë rikuperuar rreth 600 kilogramë marjiuanë.

Mësohet se ndalimi i gomones u bë në ujërat territoriale italiane. Për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhen me dije detaje të tjera. /a.y/noa.al