Transmetuar më 19-08-2017, 14:41

Lëvizja Socialiste për Integrim së bashku me Lëvizjen Rinore për Integrim organizoi ceremoninë mbyllëse të kampingut veror në Jalë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin figurat e larta të LSI-së dhe të LRI-së.

Duke folur përpara pjesëmarrësve, kryetarja e LSI-së znj. Monika Kryemadhi falënderoi të rinjtë pjesëmarrës në këtë kamp veror duke shtuar se pjesëmarrja e të rinjve në politikë është shumë e rëndësishme në mënyrë që rinia të marri në dorë fatin e saj.

“LSI-ja është sulmuar më shumë nga të gjithë për vendosjen e të rinjve në listat e deputetëve nga opinioni publik. Njerëzit janë skeptikë për të rinjtë. Pjesa më e madhe e të rinjve këtu janë studentë, gjimnazistë apo sapo kanë mbaruar shkollën dhe asnjëri nga ju nuk ka garanci se çfarë do të ndodhë me të nesër, ku do të punojë, ku do të jetojë dhe çfarë të ardhme ka.

Dhe për këtë fajin e ka politika, por si mund ta lësh ti politikën të vendosë për fatet e tua. Më mirë të vendosësh vetë për fatin tënd se sa dikush tjetër që nuk të konsideron. Është shumë e rëndësishme që ju të merrnin në dorë jo vetëm fatin tuaj, por edhe fatin e të gjithë rinisë shqiptare”,- u shpreh kryetarja e LSI-së duke shtuar se “Shqipëria është një vend me një rini aktive, por që çdo ditë e më shumë po zbrazet sepse qindra e mijëra të rinj e të reja ikin dhe nuk e kthejnë më kokën prapa.

 Ju e shikoni këtë bregdet aq të bukur, por nuk të ofron atë çfarë ofrojnë vendet e tjera evropiane. Nuk të ofron infrastrukturën, energjinë elektrike, nuk të ofron rrugën e shumë e shumë shërbime të tjera.

Ndaj misioni juaj është shumë i thjeshtë: nëse doni të keni një të ardhme të ndritur merruni me politikë, vendosni piketat tuaja, jepini forcë vetes suaj, ecni bashkë në grup, sepse vetëm ashtu mund ta përmbysni këtë realitet të hidhur e të shëmtuar, por mbi të gjitha do të ngrini një të ardhme të ndritur për veten tuaj dhe për brezat që do të vijnë”. /b.l/noa.al/