Transmetuar më 18-08-2017, 17:32

Lidhur me raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit, ka reaguar edhe Jozefina Topalli. Nëpërmjet një statusi në profilin e saj në “Facebook”, Topalli ka sulmuar kreun e PD-së, duke u shprehur e askush nuk e di se ku ai ndodhet. Sipas saj, ai ka shitur opozitën dhe ka vjedhur karrigen e kryetarit të PD-së.

“Ka disa javë që askush nuk e di se ku është kreu i PD-së Lulzim Basha. Kisha kuptuar prej kohesh se ai nuk kishte ndonjë preokupim të madh për kauzën e zgjedhjeve, ndaj gjatë 4 viteve te shkuara, bashkë me disa kolege i përsëritnim dhe sugjeronim që të mendonte seriozisht për të, por në fakt vetëm mihnim në ujë”, shkruan Topalli.

Postimi i plotë i Topallit

Ka disa javë që askush nuk di ku është Lulzim Basha. Gjëja duket është shumë sekrete. Por sot edhe pse prapë me pushime, ai u shfaq në facebook duke komentuar raportin për zgjedhjet të ministrave të tij teknikë. Unë nuk kam nevojë të lexoj raporte teknikësh, sepse kam bindjen se në zgjedhjet e fundit politike, jo punësimet por paratë e drogës kanë blerë edhe vota. Por po ashtu di që kjo nuk përmbys rezultatin skandaloz të Bashës me 25 qershor.

Kisha kuptuar prej kohësh se ai nuk kishte ndonjë preokupim të madh për kauzën e zgjedhjeve, ndaj gjatë 4 viteve të shkuara, bashkë me disa kolegë i përsëritnim dhe sugjeronim që të mendonte seriozisht për të, por në fakt vetëm mihnim në ujë. Natyrisht ai e kishte një plan në kokë.  I vetmi koncept që ai ka ishte: ose të mos hynte në zgjedhje nëse nuk ishte fitorja e garantuar ose Pazari.

Me këtë gjë në krye, ai hyri në çadër në fillim duke kërkuar dorën e Metës dhe doli nga çadra duke rrokur Ramën. Pas 18 majit nuk pat asnjë fjalë, asnjë shqetësim dhe asnjë vërejtje për zgjedhjet. Në fushatë asnjë fjalë kundra Ramës, dhe asnjë fjali për blerje votash. Pas 25 qershorit asnjë ankesë, asnjë fakt, asnjë provë nuk dorëzoi as në KQZ dhe as tjetërkund. Anëtarët e opozitës ne KQZ votuan unanimisht rezultatin e 25 qershorit.

Në asnjë qendër votimi, në asnjë zonë elektorale nuk pati asnjë shënim, asnjë vërejtje nga anëtarët (numëruesit) e opozitës. Përkundrazi, LB dhe ER përmes të besuarve të tyre kishin urdhëruar Administratën zgjedhore që të mos kishte asnjë debat dhe asnjë kundërshti mes tyre. Me urdhër nga dyshja Rama- Basha ata duhej të votonin me unanimitet. Dhe ashtu u bë. Rama mori më shumë nga çfarë mendonte dhe Basha më pak nga çfarë kishte llogaritur.

74 mandatet e Ramës hodhën në erë projektin për të bashkëqeverisur, por Lulzim Basha qëndroi deri në fund me shpresë se Rama do e fuste në qeveri. Deri këtu s’ka asgjë që nuk dihet. Shitja e opozitës është njëra anë e Bashës. Ana tjetër është manipulimi i zgjedhjeve vetë brenda PD prej tij. Ndaj dhe ndoshta do kishte qene më mirë që edhe sot të pushonte.

Lulzim Basha ka vjedhur karrigen e kryetarit të PD përmes manipulimit të pjesëmarrjes së anëtarësisë së PD më 22 Korrik. Me 22 korrik mbi 70% e anëtarësisë së PD kanë bojkotuar Bashën sepse kanë kuptuar se ai i kishte shitur interesat e demokratëve dhe të vendit. Dhe kjo jo me fletërrufe si të teknikëve të Lulit, por me provë, fakte e video.

Manipulimi ishte aq i madh sa u bë dhe qesharak. Sipas vetë shifrave të tij i binte që më 22 korrik të kishin votuar për 12 orë rresht pa ndërprerje çdo 18 sekonda nga një demokrat. Shkodranët thonin se Luli e mbajti premtimin. Më 22 korrik ai realizoi votim elektronik. Në fakt me atë shpejtësi i binte votim supersonik, si ata që vetëm Luli di t’i bëjë. /b.l/noa.al/