Transmetuar më 18-08-2017, 16:28

Pas sulmit një ditë më parë në Barcelonë, një tjetër ngjarje tronditëse është shënuar, këtë herë në Finlandë, ku një person ka therur disa persona në qytetin jugperëndimor Turku, përpara se të qëllohej me armë zjarri nga forcat e policisë.

Policia njofton se agresori është tashmë në paraburgim, i plagosur në këmbë, ndërkohë që u dha edhe njoftimi paralajmërues për njerëzit përreth që të evitonin kalimin nga qendra e qytetit.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur në zonën e sheshit “Puutori-Market”. Pamjet nga vendngjarje tregojnë një trup të shtrirë përtokë dhe të mbuluar, megjithëse nuk konfirmohet ende zyrtarisht për të vdekur.

Një postim në “Twitter” nga policia finlandeze, në orën 16:40 me atë lokale, bënte të ditur se disa persona ishin plagosur me thikë në qendër të qytetit Turku. Ndaj njerëzve u kërkohet që të shmangin kalimin nga qendra e qytetit.

Sipas “The Mirror” personi që sulmoi me thikë përpara se të kryente krimin thërriti “Allahu Ekbar”

Ngjarja vjen vetëm një ditë pas sulmeve terroriste në Spanjë, ku 14 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u plagosën në dy incidente, një përplasje me makinë në Las Ramblas të Barcelonës dhe një incident në Cambrils.