Transmetuar më 18-08-2017, 12:37

Nis zgjerimi me 17 klasa të reja i shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini” në zonën e Kodër Kamzës, duke bërë që në këtë mënyrë t’i jepet fund mësimit me dy turne.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Rakip Suli, inspektoi punimet, nga ku tha se investimi është afatgjatë dhe planifikon rritje të numrit të nxënësve në këtë shkollë për vitet e ardhshme.

“Ka ndërtime informale gjithandej rreth e rrotull, por tani që kemi ruajtur integritetin e shkollës do të shfrytëzojmë hapësirat brenda saj për të shtuar klasat. Praktikisht po ndërtojmë një shkollë të dytë sepse shtesa është me 17 klasa, ndërkohë që 15 klasa bëjnë turnin e dytë. Kështu, jo vetëm që kemi hapësira për ata që e bëjnë mësimin turnin e dytë, por kemi edhe për të ardhmen, me shtesat që mund të vijnë nga rritja e popullsisë së zonës dhe nxënësve që do të regjistrohen në këtë shkollë”, tha ai.

Veliaj vlerësoi se krahas cilësisë në mësimdhënie, Bashkia e Tiranës do të ndihmojë edhe në krijimin e kushteve të përshtatshme për të zhvilluar mësimin.

“Shkolla ka një reputacion shumë të mirë. Kemi pasur plot nxënës me dhjeta, do të thotë që nuk ka rëndësi nëse e ke shtëpinë në Bllok apo në Kodër Kamëz, kush mëson, kush është i aftë, kush përpiqet, kush ka talent, ka një të ardhme në Tiranë. Ndaj besoj se ka ardhur koha që edhe cilësia e infrastrukturës ku dalin nxënësit me dhjeta të jetë e njëjtë si talenti i nxënësve të mrekullueshëm që kemi në këtë shkollë”, nënvizoi Veliaj.

Duke u ndalur te investimet në dy vitet e ardhshme, ai shtoi se fokusi do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat në periferi të kryeqytetit.

Veliaj, kërkoi bashkëpunimin e banorëve për të liruar vullnetarisht hapësirat e zëna pa leje ndër vite duke penguar zhvillimin.

Investimi për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini” parashikon ndërhyrje në godinën ekzistuese, si dhe ndërtimin e një objekti tre kate, shtesë anësore, duke shtuar 17 klasa të reja.

Gjithashtu, është planifikuar vendosja e shkallëve të emergjencës, nyje të reja higjieno-sanitare, si dhe krijimi i hapësirave sportive. Godina do të ketë sistem ngrohje me pelet dhe do të bëhet sistemimi i ambienteve të jashtme të shkollës.