Transmetuar më 18-08-2017, 11:29

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, reagon lidhur me raportin e publikuar për zgjedhjet nga ministrat teknikë, të propozuar nga PD.

Ai thotë se raporti i ministrave teknikë është dëshmia më e fundit që provon se zgjedhjet u manipuluan.

Sipas tij, ky raport plotëson panoramën e denoncimit të manipulimit të zgjedhjeve nga çdo faktor publik vendas dhe i huaj.

Basha në reagimin e parë pas pushimeve të verës, deklaron se raporti dëshmon se në këto zgjedhje u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm për ndikimin e votës: u ble vota me para dhe favore, u kërcënuan direkt dhe indirekt votuesit me dhunë fizike, psikologjike dhe presion ekonomik, u manipulua numërimi i votave.

Po ashtu thotë, se në zgjedhje u aktivizuan kriminelët, u përdorën paratë e drogës, dhe paratë e korrupsionit qeveritar, si dhe u përfshi administrata dhe u përdorën mjetet dhe burimet publike.

Kreu i opozitës pretendon se ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk ju bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare.

Në këtë drejtim, shprehet se e gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Është fakt: Zgjedhjet u dhunuan dhe manipuluan nga Edi Rama dhe makineria e tij e pushtetit e ndihmuar nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës dhe të korrupsionit.

Pasojat e 25 qershorit po ndihen çdo ditë. Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve por shitblerjen masive të votës dhe përdorimin e kontigjentit kriminal dhe parave të drogës të cilët janë sot varrmihësit e demokracisë së brishtë shqiptare”, shkruan Basha në Facebook.

Ai thotë se Partia Demokratike respektoi lirinë dhe vullnetin e zgjedhësve dhe nuk u përfshi në asnjë përpjekje për ndikimin apo manipulimin e votës në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme.

Po ashtu shpreh bindjen se, Partia Demokratike zhvilloi një fushatë qytetare të frymëzuar nga njerëzit dhe të përqendruar tek njerëzit, nevojat dhe aspiratat e tyre.

Basha shton më tej se, në këto zgjedhje Partia Demokratike dha një kontribut të rëndësishëm për demokracinë dhe për vendin duke vendosur standardin që duhet të përqafojnë të gjithë partitë politike për fushatat elektorale nëse dëshirohet që në vend të ketë demokraci dhe pushtet të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit.

Reformimi thellësor i sistemit zgjedhor, përfshi votimin dhe numërimin elektronik, është prioritet i Partisë Demokratike, thotë ai.

Kryeopozitari shprehet se Partia Demokratike qëndron e palëkundur në bindjen e saj se vendi ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit politik, për të risjellë ndarjen, kontrollin dhe balancimin e pushteteve; për të garantuar të drejtat e individit dhe kontrollin demokratik të pushtetit nga opozita; për ta vënë politikën në shërbim të njerëzve dhe jo anasjelltas.

“Demokratët janë të vendosur për përmbushjen e këtyre qëllimeve jetike për të ardhmen e vendit”, shkruan ndër të tjera.

Basha e mbyll qëndrimin e tij, duke thënë se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe një demokracie funksionale kërkojnë përfshirjen e gjithë shoqërisë, duke filluar me vetëdijësimin se shkelja dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve është jo vetëm dhunim i një të drejte themelore njerëzore dhe politike, por edhe shkaku kryesor i keqqeverisjes dhe arrogancës politike që vuan vendi ynë prej kohësh. /a.y/noa.al