Transmetuar më 18-08-2017, 08:58

Një grup dasmorësh janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në një lokal dasme në qytetin e Shijakut. Personat e helmuar kanë shfaqur probleme shëndetësore duke nisur nga pasditja e së hënës, ndërkohë që në repartin infektiv të spitalit rajonal Durrës gjenden të shtruar aktualisht 9 persona.

Pacientët shprehen se kanë qenë në dasmë dhe ushqimi iu është dukur i mirë, por shumë shpejt janë ndjerë keq nga ana shëndetësore.

Shefja e Repartit Infektiv, Nadire Jani, shprehet për ‘Durrës lajm’, se pacientët janë shfaqur me diarre dhe temperaturë të lartë dhe aktualisht situata e tyre është më e mirë.

Në lidhje me rastin në fjalë Drejtoria e Shëndetit Publik ka nisur inspektimin e lokalit ku është zhvilluar dasma.

Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar mostra të ushqimit që kanë konsumuar dasmorët, por nga lokali iu është thënë se nuk kanë më asnjë të tillë. Tashmë pritet përfundimit i analizave toksikologjike për të parë se kush e ka shkaktuar helmimin e ushqimit. Nëse do të vërtetohet se helmimi është shkaktuar nga ushqimi, pritet që të merren masa administrative ndëshkuese ndaj pronarit të lokalit. Një ditë më parë për këtë çështje ka nisur hetimet edhe policia, e cila ka marrë në pyetje pacientët e paraqitur në spital.

Dasmorët në Shijak përfundojnë në spital, AKU bllokon lokalin

Helmim masiv në një lokal dasmash në Shijak, dhjetëra persona përfundojnë në spital