Transmetuar më 17-08-2017, 23:17

Në “San Siro” fituan kuqezinjtë, ata të Milanit, por dhe ata të Shkëndijës që realizuan ëndrrën për të luajtur përballë një skuadre legjendare ashtu si dhe tifozët kuqezi në tribuna, që e shijuan transfertën  pavarësisht se Shkëndija u mund me rezultatin e thellë 6-0.

Tetovarët vuajtën “forcën” e një skuadre të ndërtuar për të fituar Serinë A, por dhe diferencat e emocionet e një përballje të tillë që u pasqyruan që në minutat e para, me italianët që e kishin mbyllur ndeshjen që në të 25-tën pas golave të Silvës dhe Ricardo Montolivos. 

Andre Silva ishte protagonisti i madh i takimit pasi dhe goli i 3-të mbajti firmën e tij. Një vulë në këtë ndeshje mund ta kishte lënë dhe Ibraimi por koordinimi i tij nuk ishte ai i duhuri në të 32-tën. 

Në pjesën e dytë Shkëndija nuk arriti të evitonte më tej thellimin e rezultatit, pasi Milani ishte tërësisht dominues me Borinin e Suson, që në minutat 67-të e 69-të cuan rezultatin në 5-0.

Ndeshja u mbyll me golin e Montolivos por dhe dëshpërimin e Qatip Osmanit në stol, që ëndrrën e një përballje të tillë kishte menduar ta shijonte ndryshe. Në Shkup një javë më pas, për Shkëndijën do të jetë e rëndësishme që të tregoj dhe vlerat e saj, ato që e sollën deri në play-off.