Transmetuar më 17-08-2017, 21:29

Një aksident është shënuar në minierën e Cërrujës, në Klos, duke plagosur dy punëtorë, njëri prej tyre në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 14:00 të ditës së sotme, ku të lënduar mbetën shtetasit A.K, 52 vjeç dhe A.C, 57 vjeç, të dy banues në Klos.

I pari është transportuar në Tiranë për një mjekim më të specializuar për shkak të komplikacioneve të rënda shëndetësore, ndërsa 57-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Burrelit.

Grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes ku u dëmtuan punëtorët në ambientet e minierës,  në  Cërrujë, bashkia Klos, ku kanë konstatuar se në thellësi të galerisë, dy shtetasit e lartëpërmendur me detyrë zjarrmëtar, janë lënduar si pasojë e shembjes së disa gurëve.

Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave në të cilat ndodhi ngjarja. /k.k/noa.al/