Transmetuar më 17-08-2017, 18:59

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të ndryshuar buxhetin me një akt normativ. Sipas tij ky është një veprim ankushtetues. Ish-kreu i qeverisë gjithashtu ka vënë alarmin se qeveria Rama po e blen sot energjinë me një çmim 3 herë të lartë.

Sipas tij paratë që duhej të shpenzoheshin për blerjen e energjisë elektrike dhe të kovave për shuarjen e flakëve nuk janë mirëmenaxhuar, por në të kundërt, janë zhvatur.

Ja çfarë shkruan Berisha:

Akti normativ për blerje energjie dhe ai i kovave për helikopterët, një aktakuzë e vërtetë!

Të dashur miq, pas zbrazjes elektorale të digave dhe djegies së mijëra e mijëra hektarë pyjesh në të katër anët e vendit, dje, Norjega, nga resorti ku po pushon, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën miratoi aktin normativ mbi shtesën e shpenzimeve buxhetore prej 60 milionë eurosh për:

– Blerjen e energjisë, pasi zbrazi digat dhe zhyti vendin ne errësirë në kulmin e sezonit turistik, me trefishin e çmimit, dhe vjedhjes së madhe krahasuar me blerjet që duheshin bërë që në prill me çmim tre herë më të ulët dhe duke ruajtur rezervën ujore të kaskadës së Drinit.

Mirëpo Rama, duke menduar se do humbiste zgjedhjet, zbrazi digat si kurrë ndonjëherë më parë. Ai zhyti vendin në errësirë dhe tani po blenë energjinë me Çelën e tij nga Ibiza, me trefishin e çmimit, duke vjedhur dhe shpërdoruar së paku 70 milionë euro këtë verë.

– Blerjen e kovave të mëdha për helikopterët e mëdhenj të Ushtrisë për shuarjen e zjarreve, vetëm pasi vendi u dogj dhe poq nga flakët në të katër anët. Shtoj këtu se helikopterët e mëdhenj të Ushtrisë, që u porositën nga qeveria e mëparshme, kanë ardhur tre vjet më parë, por në vend të kovave dhe mjeteve të shuarjes së zjarrit u porositën kanxha dhe kordonë për transportin në Vermosh të materialeve të ndërtimit për vilën luksoze të ministres.

Në përmbushje të kësaj detyre antiligjore, u zhyt në liqenin e Shkodrës njeri prej tyre. Ndërsa gjatë kësaj vere, në vend që të porositeshin me urgjencë kovat që mbajnë tonelata ujë, lekët u shpenzuan duke kontraktuar helikopterë të vegjël privat që mbartnin kova të vogla pothuaj sa një fuçi ujë. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimet e papërgjegjshme dhe antikushtetuese të Edvin Kristaq Ramës, i bëj thirrje prokurorit të përgjithshëm të hetojë me përparësi aktin e megakorrupsionit të tij të radhës. /b.l/noa.al/