Transmetuar më 17-08-2017, 15:50

Skënderbeu me një objektiv që ndoshta i ngjan më shumë një ëndrre, kualifikimi në fazën e grupeve të Ligës së Europës duke kaluar 4 raunde, një arritje që asnjë skuadër shqiptare nuk e ka realizuar ndonjëherë, megjithatë për ta shndërruar ëndrrën realitet do të duhet në thonjza të shkelë mbi një superklub si Dinamo e Zagrebit, natyrisht një operacion shumë po shumë i ndërlikuar.

Korçarët do të sfidojë sot në orën 19:00 në “Maksimir Stadium” skuadrën e drejtuar nga Marko Cvitanovic. Një “remake” i dy sezoneve më parë në “Play-offin” e Ligës së Kampionëve, me shpresën që kësaj here të ndryshojë përfundimi dhe të fundi të jetë i lumtur për bardhekuqtë.

Trajneri i 6 herë kampionëve të Shqipërisë Ilir Daja duket se tashmë e ka kristalizuar formacionin titullar. Nën modulin 4-1-4-1. Në kuadrat Orges Shehi, mbrojtja do të përbëhet nga Vangjeli, Radas, Jashanica dhe Mici.

Osmani do të vendoset pak më përpara repartit difensiv, teksa në mesfushë do të jenë Gavazaj, Lilaj, Nimaga dhe Latifi, më i avancuar do të rreshtohet Ali Sowe. Dallohen disa ndryshime në krahasim me takimin kundër Mladës, me James Adeniyi që duke llogaritur edhe disa probleme fizike i ka lënë vendin Sowe-s.

Ndërkohë Dinamo e Zagrebit ka një mungesë kryesore që është ajo e Hilal El-Sudanit. Sulmuesi algjerian nuk është rikuperuar plotësisht nga një dëmtim muskulor dhe nuk do të rrezikohet nga trajneri Cvitanovic.

Kjo supersfidë do ta ketë zanafillën në orën 19:00 dhe përveç atraksionit që ofron një vend në grupet e Ligës së Europës, lojtarëve të Skënderbeut i është premtuar edhe një bonus prej 200 mijë eurosh në rast kualifikimi, pra elementët motivues janë të gjithë të pranishëm për ekipin jug-lindor.