Transmetuar më 17-08-2017, 13:00

Plagoset me armë zjarri një person në rrethana të mistershme në Kurbin. Mesditën e sotme në urgjencën e spitalit Laç, është dërguar i plagosur me armë zjarri një person.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar, se i plagosur ka mbetur 63-vjeçari Ndue Kola, banues në Fushë Milot në Kurbin, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Burime nga policia i thanë Noa.al, se i plagosuri kishte dalë nga banesa dhe po hynte në dyqanin e tij që kishte pranë shtëpisë.

Por pikërisht në pragun e dyqanit, ai është qëlluar nga pas shpine nga persona të cilët nuk ka mundur dot t’i shikojë.

Dyshohet se ndaj 63-vjeçarit gjithçka ka qenë e planifikuar dhe është pritur momenti për t’u qëlluar. Kola ndodhet në spital, ku pas ndihmës së marrë nga mjekët është jashtë rrezikut për jetën.

Për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, vazhdojnë ende hetimet si dhe po punohet për identifikimin e autorëve. /a.y/noa.al

Foto ilustruese