Transmetuar më 17-08-2017, 08:29

Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, pas dhënies së dorëheqjes nga posti i ministrit teknik jep një mesazh falënderues.

Demiraj ka përgëzuar policinë për punën e bërë deri tani, ndërsa thotë se ka ende punë për tu bërë.

Nëpërmjet një postimi të bërë në Facebook, ai shpreh mirënjohjen të thellë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për besimin për të kryesuar këtë dikaster në një moment të vështirë për vendin dhe për mbështetjen e tij të vazhdueshme shtetare për të realizuar detyrat kushtetuese.

Postimi i plotë

Të nderuar Miq!

Këto 12 javë në detyrë si Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë një nder i jashtëzakonshëm ti shërbeja vendit, qytetarëve dhe të gjithë shtetasve që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Dëshiroj që ti shpreh mirënjohjen më të thellë kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha për besimin për të kryesuar këtë dikaster në një moment të vështirë për vendin dhe për mbështetjen e tij të vazhdueshme shtetare për të realizuar detyrat tona kushtetuese.

Bashkëpunimi me kolegët në qeveri, znj Mandia, Vukaj, Karabina, Kertusha, z Bardhi dhe Beqiri, kolegët e shkëlqyer të MPB, policisë së shtetit, SHISH, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Renda, Avokatin e Popullit dhe gjithë agjencive ligjzbatuese të vendit, kanë qenë në frymën institucionale dhe me këtë rast shpreh një falenderim të madh për përballimin e një sërë sfidash të mëdha siç ishin mbarëvajtja pa incidente e procesit zgjedhor, lufta pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të qenieve njerëzore, lufta kundër terrorizmit, emergjencave civile dhe sigurimi i një sezoni turistik të qetë.

Prioriteti im për tolerancë zero ndaj drogës në bashkëpunimi me policinë e shtetit prodhoi disa rezultate të dukshme: 37 tone kanabis i sekuestruar, 40 mijë rrënjë kanabis të shkatërruara, 13 skafe të konfiskuara dhe mbi 75 vetë të arrestuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Masat për të goditur fenomenin e kanabisit kane qenë maksimale duke i drejtuar operacionet dhe arrestimet dhe personalisht në terren dhe jo masa prapagandistike.

Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimin Informativ dhe të gjitha institucionet e përfshira në planin e masave ka qenë shumë i lartë, intensiv dhe smart. Kontrolli absolut i territorit ka qenë dhe do të jetë detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht.

Një falenderim të plotë për çdo efektiv të ndershëm të Policisë së Shtetit. Organizata e Policisë së Shtetit ka punonjës të përkushtuar, që janë të front të parë në luftën kundër drogës në përgjithësi dhe trafiqeve të paligjshme në veçanti, por sigurisht që ka dhe individë të korruptuar, të implikuar në lejimin e fenomenit të kanabizimit të vendit dhe kjo është sfidë në vazhdim e prokurorisë që ti dërgojë prapa hekurave këta individë të korruptuar.

Kam dhe një falenderim të sinqertë për gazetarët dhe median e lirë, të cilat në të shumtën e rasteve kanë ndihmuar në përçimin e mesazheve të mia publike, por në disa raste dhe ka spekulluar për të ardhmen time. Për lidershipin dhe punën time këto tre e muaj janë thënë shumë të vërteta, por fatkeqësisht janë shkruar dhe disa të pavërteta për të ardhmen time që nuk ka asnjë lidhje me këtë qeveri.

Kam qenë dhe vazhdoj të jem i vendosur për të kontribuar në drejtimin e agjencive ligjzbatuese që merrem me çështje të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.

Punë të mëdha e presin përpara Shqipërinë!

Ju faleminderit. DD. /a.y/noa.al