Transmetuar më 16-08-2017, 23:07

Një i ri italian gjeti vdekjen në një përleshje të ashpër mes një grupi turistësh në Spanjë. Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së dielës në Lloret del Mar.

Tre turistë rusë u përfshinë në konflikt me 22 vjeçarin Italian, Niçolò Ciatti, në afërsi të një klubi nate.

I riu, i cili jetonte në Firence, ndodhej për pushime në Lloret del Mar, 75 km në veri të Barcelonës. E thirrur në vendin e ngjarjes, policia e gjeti italianin të plagosur rëndë. Ai humbi jetën pasi u transferua në spital.

Të tre të dyshuarit, të moshës 20, 24 dhe 26, kishin ikur. Ata u arrestuan menjëherë pas ngjarjes nga policia e Katalonjës në shëtitoren bregdetare, tha policia në një deklaratë.

Ndërkohë, në media u publikuan pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së klabit, ku tregohet përleshja e dhunshme mes të rinjve.

“Rreth orës 3:30 kemi pasur një grindje të vogël. Unë nuk e kam parë, por mendoj se dikush e shtyu Niçon. Ai i tha të jenë të kujdesshëm dhe tjetri filloi ta godasë. Niço ra përmbys dhe një person tjetër u hodh mbi të. Ai e kishte humbur tashmë vetëdijen, kur ata i dhanë një goditje në fytyrë. Siguria e klubit të natës nuk ka ndërhyrë menjëherë dhe ambulanca mbërriti pas gjysmë ore”, tha një mik i viktimës për “Corriere della Sera”.

Ndërkohë babai i Niçolòs është shprehur se “ata nuk janë qenie njerëzore, por kafshë që vranë djalin tim si një thes me patate. Nuk mund të them si një qen, sepse as një qen nuk e meriton të përfundojë në këtë mënyrë”.

Përleshje të tilla mes turistëve janë regjistruar edhe në të kaluarën në Lloret del Mar, një destinacion turistik që sugjerohet nga shumë agjenci evropiane.