Transmetuar më 16-08-2017, 08:19

Kryeministri Edi Rama, ndryshe nga ditët e tjera, këtë të mërkurë ka hequr dorë nga promovimi i zonave turistike, por është kthyer pas në kohë.

Ai ka publikuar një video me pamje të rralla të viteve ‘60-të, në një dokumentar për vendin tonë.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje të rralla të Shqipërisë së viteve ’60, sjellë përmes një dokumentari të veçantë belg”, shkruan Rama në Facebook.

Por ky postim i kreut të qeverisë është përballur me komente të shumta, ku një qytetar i shkruan, “Kur do ndërtoni ndonjë hekurudhë se akoma kemi të xhaxhi Verit”.

“Njësoj si në ato kohë po e çoni Shqipërinë dhe akoma më keq madje”, shkruan një tjetër.

“Lëre Shqipërinë e viteve ‘60, shiko sot si e katandise”, është një tjetër koment.

Një tjetër komentues shkruan, “Ore shiko dokumentarin e vitit 2017 që nuk kanë njerëzit bukë të hanë, që po kërkojnë azil, e që po vriten nga deputet dhe nuk dënohen, ministra që vjedhin. Këtë dokumentar shiko ti dhe mos na trego më përralla se je bër më keq se Likja dhe Saliu bashkë”.

“Ishim më mirë kur ishim më keq zoti Kryeministër me sa duket. Klasa politike e lindur mbas viteve të errëta të diktaturës nuk bëri, nuk prodhoi asgjë për të përmirësuar jetën e një populli të vuajtur të degjeneruar ndër vite. Ah po diçka e keni bërë, shkatërrim territori, plaçkitje pasurie kombëtare, emigracion masiv. Nuk besoj që shqiptarët në ‘90 u ngritën për këtë demokraci hibride dhe gënjeshtare ku disa njerëz u pasuruan në kurriz të një populli të tërë. Shumë vite më parë në Itali Prokuroria bëri një ligj që quhej me duar të pastra, ku besoj ju e keni dëgjuar. Ndodh në Shqipëri një gjë e tillë?????”, shkruan një tjetër. /a.y/noa.al