Transmetuar më 15-08-2017, 17:04

Kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, thotë se ekonomia shqiptare është në konfuzion dhe se investimet e huaja janë në nivelet më të ulëta.

“Ekonomia shqiptare në konfuzion. Investimet e huaja në nivelin më të ulët se asnjëherë. Thithja e projekteve të mëdha më e ulëta.

Nuk ka prioritete madhore në ekonomi, por thjesht improvizime të ditës, që thjesht riciklojnë arkaizmin ekonomik, profanizmin dhe të kënaqurit me fiktivitet të qeverisë si dhe thellojnë frikshëm pabarazinë”, shkruan Vasili.

Më tej në postimin  e tij në rrjetin social Facebook, Vasili shprehet se tashmë është koha për një Pakt Kombëtar për Ekonominë, pasi sipas tij fjalët boshe do e bëjnë varfërinë dhe papunësinë sëmundje pa shërim.

“Është koha për një Pakt Kombëtar për Ekonominë. Fjalët boshe dhe demagogjitë artificiale me shifrat për ekonominë do ta bëjnë varfërinë dhe papunësinë sëmundje pa shërim, dekurajimin tragjik për të rinjtë të pashmangshëm dhe vrasjen e shpresës mënyrë jetese”, përfundon Vasili. /b.l/noa.al/